INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Paratë e shqiptarëve ikin jashtë, turizëm me të huaj

Paratë e shqiptarëve ikin jashtë, turizëm me të huaj

Publikuar më: 12:20 26-03-2019

Suksesi i një sezoni turistik matet me numrin e të huajve që zgjedhin vendin tonë për të kaluar pushimet. Por tregues të rëndësishëm janë edhe vendasit, të cilët siç duket preferojnë t’i shpenzojnë paratë jashtë Shqipërisë. Dhe rekordi është shënuar vitin e shkuar.

Sipas statistikave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, shpenzimet e shqiptarëve jashtë vendit në 2018-n arritën në 1.42 miliardë euro, duke u rritur me 13% në krahasim me vitin e mëparshëm. Ky është niveli më i lartë i regjistruar i shpenzimeve jashtë vendit, që pas viteve ’90.
Në të kundërt, të huajt kanë sjellë më shumë para në Shqipëri në udhëtimet e tyre. Sipas Bankës së Shqipërisë, të huajt që vizitojnë vendin, pjesa më e madhe e të cilëve vinë për vizitë tek të afërmit dhe qëllime turistike, shpenzuan 1.86 miliardë euro në 2018-n, me një rritje prej 8.8% me bazë vjetore.
Por kjo është vetëm njëra anë. Teksa shpenzimet e shqiptarëve jashtë u rritën me ritme më të larta sesa hyrja e të ardhurave nga të huajt, bilanci neto u përkeqësua me 3.4% në raport me vitin e mëparshëm. Kjo është hera e parë në 5 vitet e fundit që bilanci i udhëtimeve përkeqësohet, teksa që pas vitit 2013, ai kishte shënuar një përmirësim të ndjeshëm.  Sipas të dhënave të tjera të INSTAT, Shqipërinë e vizituan në 2018-n një numër rekord prej 5.93 milionë të huaj, me një rritje prej rreth 16% në raport me vitin e mëparshëm.
Më shumë se një e treta e turistëve që erdhën në Shqipëri në 2018-n ishin nga Kosova.

Article Logic
Execution time: 0.0037791728973389