Një operacion i gjerë antidrogë i zhvilluar në Stamboll ka çuar në ndalimin e 22 personave, mes të cilëve figurojnë disa nga emrat më të njohur të botës së artit, televizionit dhe mediave sociale në Turqi. Aksioni është ndërmarrë në kuadër të një hetimi të drejtuar nga Zyra e Kryeprokurorit të Stambollit.
Vëmendjen më të madhe e ka tërhequr emri i aktores së njohur Beren Saat, e cila gëzon popullaritet të madh edhe në Shqipëri falë roleve të saj në serialet “Dashuri e ndaluar” dhe “Sulltanesha Kosem”.
Sipas autoriteteve turke, operacioni u zhvillua në orët e para të mëngjesit të 11 qershorit, në kuadër të hetimeve për trafikim dhe përdorim të lëndëve narkotike. Forcat e policisë realizuan kontrolle të njëkohshme në disa zona të Stambollit, duke shoqëruar për verifikime 22 persona të dyshuar.
Mes personave të ndaluar janë edhe këngëtari Kenan Doğulu, artistja Ayşe Hatun Önal, moderatorët dhe influencuesit Kerimcan Durmaz e Selin Ciğerci, si dhe emra të tjerë të njohur si Ozan Doğulu, Berdan Mardini dhe Enis Arıkan.
Në listën e të shoqëruarve përfshihen gjithashtu Tolga Çam, Ferhan Kaya, Murat Saygı, Enis Ahmet Onat, Ahmet Karoğlu, Emre Tari, Hasan Vatan, Mehmet Cem Karcı, Reyhan Küçükyeğen, Yaşar İpek, Mehmet Yıldız, Tessy Ramos Correira, Rafet Eren Yorulmazer dhe Ali Efe Bezci.
Deri më tani, autoritetet nuk kanë publikuar detaje të plota mbi akuzat që rëndojnë mbi secilin prej të ndaluarve. Ndërkohë, procedurat policore vijojnë dhe Prokuroria e Stambollit ka njoftuar se hetimet mbeten të hapura.
Përfshirja e figurave të njohura të ekranit dhe muzikës e ka kthyer këtë operacion në një nga ngjarjet më të komentuara të ditëve të fundit në mediat turke dhe ato ndërkombëtare.








9 Jun 2026 





