Largimi nga politika dhe kalimi në ekran nuk ishte një vendim i menjëhershëm për Grida Dumën. Katër vite pas dorëzimit të mandatit të deputetes, moderatorja ka rikthyer në vëmendje momentin kur mori propozimin për të drejtuar emisionin politik “Top Story” në Top Channel.
Në një intervistë për podcast-in “UET Cast”, përballë Prof. Dr. Belina Budinit, Duma tregoi se oferta e bërë nga Lori Hoxha erdhi në një periudhë kur ajo po reflektonte seriozisht mbi vazhdimësinë e saj në politikë. Sipas saj, propozimi ishte i papritur dhe për disa çaste e la pa fjalë.
“Nuk isha e detyruar. Asgjë nuk është tashmë e detyruar në jetën time. Nuk kam asnjë kondicion, përveç jetës, shëndetit dhe dashurisë për fëmijën tim. Kudo që mund të jem, e di që e nis nga fillimi dhe e di që mund ta ndërtoj një standard jete që më rri mirë. Nuk më duhet shumë për të jetuar mirë dhe besoj që kjo është aftësi apo dhunti e atyre që jetojnë më shumë me mendje sesa me trup. Erdhi në kohën e duhur. Ishte një propozim i cili më la pa frymë për momentin. CEO i Top Channel, ishte duke rikonceptuar mënyrën sesi do ta drejtonte televizionin, bashkë me aksionerët e tjerë. Kur e dëgjova propozimin shtanga në një farë mënyre. Por besoj se ishte e dhënë, një shenjë. Erdhi në momentin e duhur.”
Për Dumën, mundësia për të hyrë në televizion përkoi me një zhgënjim gjithnjë e më të madh ndaj realitetit brenda Partisë Demokratike. Ajo tregoi se përçarjet dhe mungesa e një drejtimi të qartë e kishin bërë të humbiste besimin tek vazhdimi i angazhimit të saj politik.
“Për mua në ato çaste humbi plotësisht të bërit politikë, në një grupim politik i cili kishte humbur kohezionin, shumësinë dhe qartësinë e vet. Kanë qenë zgjedhjet lokale të dy viteve më parë, dhe kam pasur një protagonist të PD-së në emision, i cili më tha: “Si ta bënim PD-në? Ti ike, disa të tjerë ikën. Iu përgjigja: “Sepse ju u çmendët”.
Nga pikëpamja politike dhe logjike, për mua, Partia Demokratike linte shumë për të dëshiruar, sa i përket arsyes pse po bëhej politikë. Fragmentarizimi i saj, mungesa e mirëkuptimit brenda vetes, mungesa e kohezionit dhe bërjes bashkë për gjëra që ishin më të mëdha sesa të voglat që na ndanin, vendosja e gishtit dhe fajtorit brenda vetes pafund, a thua se nuk e dinim që përgjegjësit nuk ishin as anëtarët, as bashkëvepruesit në politikë, por ishte udhëheqësia e Partisë Demokratike, midis Sali Berishës dhe Lulzim Bashës, apo mes Sali Berishës dhe vetë Sali Berishës.”
Moderatorja pranoi se në fillim nuk e kishte përjashtuar mundësinë që të ruante paralelisht edhe pozicionin e saj politik. Megjithatë, pas reflektimit, vendosi të mos qëndronte mes dy rrugëve dhe të ndërtonte një kapitull të ri profesional në media.
“Nuk mendova se do ta bëja në çastin e parë. Mendova se mund të tentoja të hyja edhe në media dhe ta mbaja pozicionin politik. Mendoj se njeriu në jetë duhet të ketë këllqe dhe guxim të bëjë një zgjedhje. Besoj se bëra zgjedhjen e duhur nëse shohim sesi janë sot të gjitha ata që marrin pjesë në estabilishmentin politik aktual”, u shpreh Duma.
Sot, duke parë zhvillimet që pasuan në politikën shqiptare, Grida Duma thotë se zgjedhja për t’u larguar dhe për t’iu përkushtuar televizionit ishte vendimi i duhur për jetën dhe karrierën e saj.
