INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Nishani pas lajmit për rikthimin e vizave, të pastrohet Parlamenti nga kriminelët

Nishani pas lajmit për rikthimin e vizave, të pastrohet Parlamenti nga kriminelët

Publikuar më: 14:49 17-04-2019

IshPresidenti Bujar Nishani me anë të një postimi në Facebook, duket i shqetësuar për paralajmërimin e holandës për rikthimin e vizave për shqiptarët.
Nishani pretendon se e njoftuar më herët se mund të kërkohej nga europianët që të ktheheshin vizat, po në atë kohë sqaron ai e akuzuan si “gjinkallë të gushtit”. Ai sot i quan korbë të zinj dhe Don Kishotë, që mashtrojnë shqiptarët duke thënë se kanë shkatërruar 99% të kanabisit dhe kanë luftuar krimin.
Reagimi i plotë i Nishanit:
Afërsisht dy vite më parë kam shprehur publikisht shqetësimin tim qytetar për rrezikun e penalizimit të qytetarëve shqiptarë mbi mundësinë e tyre të fituar për të lëvizur pa viza në Evropë. Në atë kohë, pra dy vite më parë, ishin pikërisht autoritetet holandeze që ngritën shqetësimin e madh mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin në Shqipëri dhe lëshuan paralajmërimin për rikthimin e vizave për shqiptarët. Qeveritarët spekulantë dhe përgjegjës të krijimit të këtij rreziku real për shqiptarët agresuan këtë të vërtetë të hidhur me propagandën e tyre mediatike duke na akuzuar si “gjinkalla të gushtit”!
Deri këtu nuk kishte ndonjë risi. Këtë sharlatanizëm e kishim dëgjuar edhe kur thanë se avionët e drogës ishin spërkatës kundër mushkonjave! Edhe kur thonin që kemi shkatërruar 99% të kanabisit teksa çdo javë sekuestroheshin 5-6 ton të tillë në brigjet e Italisë. Edhe tek thonin se ishin krenar me trafikantët dhe përdhunuesit që kishin futur në Parlament dhe bashkitë e vendit, etj. Përgjatë dy vitesh autoritetet holandeze vijuan të ngrinin dhe drejtonin shqetësimin e tyre. Jo vetëm që nuk u përgjigjej askush shqetësimit të tyre por sponsorizohej një propagandë për fshehjen e së keqes, mashtrimit, nderimit për maskën, mohimit të problemit!
Sot, pas dy vitesh paralajmërimesh, shqetësimesh dhe pajtimesh me të keqen, rreziku u bë fakt. Parlamenti holandez (përfaqësuesit direkt të qytetarëve të tyre) votoi për rikthimin e vizave për shqiptarët.
Nëse sot pas afro dy vitesh do të përdorja të njëjtin nivel të atyre që na quanin “gjinkalla” do tu thoja: “ shikoni se ç’ju bëtë shqiptarëve o korba të zinj”!
Por edhe sot Don Kishotët vrapuan të na thonë se: “është luftë politike në Holandë”,por nuk e vazhdojnë dot butaforinë e tyre e të na thonë pse vetëm për Shqipërinë? Pse jo edhe për maqedonasit, malazezët, boshnjakët apo serbët, o të mjerë? Natyrisht që vendimi i marrë nuk i ndalon menjëherë shqiptarët të udhëtojnë pa viza, por mashtrimi, fshehja e problemit, avokatia e të keqes, përulja ndaj maskës, pajtimi me problemin përgjatë këtyre dy viteve të shurdhërisë ndaj të vërtetës na solli në faktin e kryer, të vendimit tashmë në Parlamentin e Holandës. Ata që u investuan me të gjitha format e antivlerave janë padiskutim sot dëmtuesit real të interesave reale të qytetarëve shqiptarë. Ata kanë kontribuar drejtpërsëdrejti në dëmin ndaj shqiptarëve. Për fatin e keq të shqiptarëve spekulantët qeveritarë dhe avokatia e të keqes rreket të vijoj përsëri në rrugën e vet. Nuk do të jetë aspak çudi që pikërisht nëse do të vijojë fshehja e të vërtetave, nderimi i maskës, avokatia e mashtrimit, bashkëpunimi me të keqen, pas një apo dy vitesh vendimi i votimit të Parlamentit të Holandës të kthehet në realitetin më të hidhur të qytetarëve shqiptarë. Rradhët e gjata të sporteleve të ambasadave në Tiranë, pa asnjë mundësi të garantuar të udhëtojnë për hallet apo gëzimet e tyre. Zgjedhja që duhet të bëjnë shqiptarët është në Tiranë, jo Amsterdam, Bruksel apo Berlin.
Le të zgjedhim!

Article Logic
Execution time: 0.0038480758666992