INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Festa e Kurban Bajramit, kryetari i Komunitetit Mysliman jep këtë mesazh urimi

Festa e Kurban Bajramit, kryetari i Komunitetit Mysliman jep këtë mesazh urimi

Publikuar më: 18:49 31-08-2017

Të premten e 1 shtatorit të gjithë besimtarët mysliman festojnë festën e Kurban Bajramit.

Kryetari i Komunitetit Mysliman, Skënder Bruçaj me anë të një mesazhi ka uruar gjithë besimtarët për ditën e rëndësishme të Komunitetit Mysliman.

Në fjalën e tij Bruça ka kërkuar më shumë mirëkuptim, sinqeritet e tolerancë me njëri-tjetrin duke uruar paqe e mirësi në çdo familje.

Më herët është lajmëruar se falja e namazit ditën e nesërme do të bëhet në orë 06: 37.

Fjala e plotë e Skënder Bruçës:

Bismil-lahi Rrahmani Rrahim!

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!

Të nderuar besimtarë!

Në një ditë të tillë festë në të cilën atmosfera shpirtërore ndihet anembanë, dua t'ju përcjell urimet më të mira, qofshi të gëzuar e në paqe me të gjithë të dashurit e zemrës.

Kurban Bajrami është simbol i sakrificës, sinqeritetit dhe dorëzimit të plotë tek Allahu i lartësuar. Besimtarët myslimanë shprehin devotshmërinë e tyre duke bërë kurban e duke u solidarizuar me fqinjët dhe njerëzit në nevojë.

Në këtë ditë feste e gëzimi të Kurban Bajramit u bëj thirrje të gjithë besimtarëve vullnetmirë që të bëhemi falënderues për të gjitha mirësitë dhe begatitë qe i kemi dhuratë nga krijuesi ynë, dhe të tregohemi bujarë duke u solidarizuar me njerëzit në nevojë, me jetimët dhe me të gjithë ata që presin përkujdesin dhe vëmendjen tonë.

Të jemi më mëshirues e tolerant, duke respektuar njeri-tjetrin dhe të lutemi që ditët e festës të vazhdojnë pa reshtur për të gjithë njerëzimin mbarë.

Le të lutemi e të festojmë të bashkuar dhe të flasim vetëm një gjuhë, atë të dashurisë, falënderimit dhe ndihmës reciproke me synimin e fitimit te kënaqësisë së Zotit.

Më lejoni t'ju uroj përzemërsisht të gjithë shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit, Gëzuar Kurban Bajramin me lutjen që të shtohet mirëkuptimi, dashuria për njëri-tjetrin dhe të ketë paqe e mirësi në çdo fole familjare e shoqërore.

Article Logic
Execution time: 0.0042500495910645