INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Ndalimi i biznesmenit të cilit iu gjetën patentat e Tahirit, reagon Policia e Shtetit pas akuzave të PD-së

Ndalimi i biznesmenit të cilit iu gjetën patentat e Tahirit, reagon Policia e Shtetit pas akuzave të PD-së

Publikuar më: 19:36 06-11-2017

Policia e Shtetit ka reaguar pas akuzave të Partisë Demokratike në lidhje me ndalimin e biznesmenit Orest Sota në Elbasan pak ditë më parë, të cilit iu gjet gjatë kontrollit mbi 800 mijë euro si dhe dy patenta për drejtimin e mjeteve lundruese në emër të ish ministrit Saimir Tahiri. Sipas akuzave të PD, policia mbajti të fshehur ngjarjen, por Policia e Shtetit thotë se ka zbatuar ligjin dhe se PD po sulmon politikisht.

Deklarata e plotë e Policisë së Shtetit:
Përsëri Partia Demokratike sot akuzoi për qëllimet e saj dhe pa asnjë bazë Policinë e Shtetit, lidhur me ndalimin e shtetasit Orest Sota nga policia. Policia e Shtetit është e detyruar të shprehë përsëri keqardhjen për këtë sulm politik, duke nënvizuar se ka bërë detyrën konform ligjit e të gjitha procedurave të kërkuara nga ligji.
Kjo është lehtësisht e vërtetueshme, siç është e qartë që shtetasin e ndaloi dhe e çoi për procedim penal, Policia e Shtetit jo akuzuesit e saj. Policia e Shtetit shpreh edhe njëherë keqardhjen për përsëritjen e përditshme të akuzave që s’kanë asnjë lidhje me të vërtetën dhe i bën thirrje Partisë Demokratike e të gjithë forcave politike, të mos bëjnë politikë duke përbaltur punën e uniformave blu.
Policia e Shtetit ka goditur dhe do të godasë pa asnjë diferencim, çdo shkelje dhe shkelës të ligjit, pavarësisht përfshirjes së qëllimshme që politika i bën asaj në axhenda të cilat nuk kanë të bëjnë asgjëkundi me misionin e me punën e policisë.
Policia e Shtetit pret mbështetjen dhe solidaritetin e opozitës në luftën kundër krimit, korrupsionit e shkeljeve të çdo lloji, jo luftën politike kundër saj kur ajo kryen detyrën për të cilën është krijuar e për të cilën paguhet nga taksat e popullit shqiptar.

Article Logic
Execution time: 0.003593921661377