Mozzik ka reaguar me tone të ashpra pas pjesëmarrjes së tij në “Marshin për Liri” në Prishtinë, i organizuar në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po përballen me procesin gjyqësor në Hagë.
Pas përfundimit të marshimit, reperi ka treguar se ka hasur në një valë komentesh fyese në artikujt që pasqyronin pjesëmarrjen e tij. Sipas tij, disa prej komenteve kanë kaluar kufijtë, duke prekur edhe familjarët e tij.
“M’u kish sha nana, gruaja, vajza, familja e fisi, veç pse dola në marsh”, shkruan Mozzik në reagimin e tij.
Ai pretendon se ka kontrolluar profilet e personave që kishin lënë komentet dhe se një pjesë e tyre rezultonin të ishin llogari të rreme. Reperi i ka lidhur këto reagime me persona që, sipas tij, nuk kanë marrë pjesë në marshim.
“Këta janë pikërisht ata që nuk dolën në protestë. Këta janë e keqja e këtij vendi. Këta janë pjellë e Beogradit”, shprehet ai.
Mozzik ka vijuar me kritika edhe ndaj personave që, sipas tij, nuk e mbështesin luftën e UÇK-së, duke iu drejtuar drejtpërdrejt atyre:
“Largohuni prej rreshtit tonë. Nuk na duheni as sot me u rreshtu me ne. Nuk jeni rreshtu kurrë me ne, e as nuk keni me u rreshtu kurrë.”
Në mesazhin e tij, reperi kujton gjithashtu vuajtjet e shqiptarëve gjatë luftës dhe familjet që humbën të afërmit e tyre, ndërsa në fund ka bërë homazh për dëshmorët.
Një tjetër pjesë që ka tërhequr vëmendje është përmendja e datës 16 shtator. Mozzik shprehet me shpresë për një zhvillim që, sipas tij, mund të mbetet i shënuar në histori.
Reagimi i reperit vjen pas një prej daljeve të tij publike më të forta në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që ndodhen në proces gjyqësor në Hagë.
