Duket se e shkuara nuk është lënë pas. Një veprim i fundit i Dafinës ka rikthyer vëmendjen te marrëdhënia e saj e tensionuar me Taynën, pasi këngëtarja duket se ka ripostuar një video nga TikTok ku shfaqen komente të ashpra për kolegen e saj.
Lëvizja u vu re nga moderatorët e “Uëtëfë”, të cilët e bënë publike dhe ndezën diskutimet në rrjete sociale. Në videon në fjalë, Tayna shihet duke kënduar këngën “Another Love” të Tom Odell. Mbi pamje, autori i postimit ka vendosur një tekst kritik për aftësitë e saj si artiste, duke shkruar:
“E kuptojmë që të pëlqen shumë të këndosh, por për të qenë shumë të sinqertë, nuk ka zë më acarues në skenë. Nuk ka vokal, as teknikë dhe as stabilitet të zërit në këndim.
Po përpiqesh, por disa gjëra janë të lindura, vajzë, më vjen keq. Për këngën ‘rap’ je e para.”
Postimi mori edhe më shumë vëmendje pasi u shpërnda nga Dafina. Edhe pse, sipas të gjitha gjasave, u fshi pak më vonë, ndjekësit e kishin vënë tashmë re dhe komentet u mbushën me reagime e hamendësime.
Disa mendojnë se repost-i mund të ketë qenë i paqëllimshëm dhe është hequr sapo Dafina e ka kuptuar që është shtypur gabimisht. Megjithatë, për shumë të tjerë, ky veprim nuk dukej aspak rastësor, sidomos duke pasur parasysh historinë mes dy këngëtareve.
Nuk është hera e parë që emrat e Dafinës dhe Taynës përmenden në kontekst përplasjesh. Vite më parë, ato kanë shkëmbyer ironira ndaj njëra-tjetrës, ndërsa Dafina ka publikuar edhe një këngë që u interpretua gjerësisht si një mesazh i drejtpërdrejtë.
Qoftë rastësi apo jo, episodi ka rikthyer sërish vëmendjen te marrëdhënia e tyre e ndërlikuar duke lënë të kuptohet se, për disa, konfliktet e vjetra nuk mbeten kurrë plotësisht pas.










10 Jan 2026 





