INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Morinë - Nënshkruhet marrëveshja 'Një ndalesë, një kontroll'

Morinë - Nënshkruhet marrëveshja 'Një ndalesë, një kontroll'

Publikuar më: 19:15 29-12-2018

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj dhe homologu i tij kosovar Ekrem Mustafa, në prani të Kryeministrit të Kosovës Haradinaj, nënshkruan sot një marrëveshje në emër të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës dhe kryerjen e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit kufitar. Kjo marrëveshje krijon mundësitë që shtetasit, automjetet dhe mallrat, të cilët hyjnë ose dalin nga territori i palëve, u nënshtrohen kontrolleve të përbashkëta nga autoritetet përkatëse përgjegjëse, vetëm një herë, bazuar në parimin “Një ndalesë, një kontroll”.

Fjala e plotë e ministrit Lleshaj:

Edhe për mua është një kënaqësi e veçantë që sot, në prag të Vitit të Ri, te jem pjesë e kësaj ceremonie për nënshkrimin e një marrëveshjeje shumë të rëndësishme.

Së pari, Kryeministrit (Haradinaj) i sjell përshëndetjet e Kryeministrit Rama, i cili nuk preferoi të vinte, sepse më tha kemi 50% sukses kësaj radhe, do të vij vetëm kur ta heqim plotësisht, dmth. kontrollin në kufi.

Sigurisht që sot është një ditë, disi e ndërlikuar për mua dhe për të gjithë ne, sepse në të njëjtën kohë që bëjmë këtë marrëveshje, për Kosovën sot është një ditë zie, me rastin e humbjes së jetës së një polici të forcave të Policisë së Kosovës z.Izet Demaj. Me këtë rast gjej mundësinë t’ju shpreh ngushëllimet juve Kryeministër, juve i nderuar z.Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës dhe familjarëve të policit të rënë në krye të detyrës, i cili dëshmon dy gjëra të rëndësishme: e para dëshmon që policia e Kosovës është një polici e aftë për të kryer detyrën, për të plotësuar misionin siç edhe ka ndodhur, por dëshmon nga ana tjetër se ne jemi përballë një krimi të rrezikshëm me të cilin do të merremi seriozisht.

Së dyti, ne jemi mbledhur për të nënshkruar këtë marrëveshje dhe marrëveshja ka një rëndësi të veçantë.

Me këtë marrëveshje, ne e ulim, siç edhe përmendi ministri Mustafa, me 50% kohën e pritjes, është një ulje e konsiderueshme, e cila na tregon se me vullnet bëhen gjëra të mira dhe të mëdha, por sigurisht që objektivi është për ta çuar në zero kohën e pritjes dhe ne po punojmë së bashku me ekipet e të dy Ministrive, për ta reduktuar së shpejti kohën e pritjes në zero, pra për ta eliminuar plotësisht kontrollin në kufirin tonë të përbashkët.

Sigurisht ky është një hap i rëndësishëm drejt lirisë së lëvizjes, por çdo hap drejt lirisë së lëvizjes shoqërohet edhe me një faturë në kuptimin e sigurisë.

Ne na duhet që çdo hap pra për lehtësimin e lirisë së lëvizjes, ta shoqërojmë me rritjen e sigurisë në mënyrë që liria të mos shndërrohet në pasiguri.

Dhe ne po punojmë intensivisht që së shpejti të ndërtojmë të gjithë mekanizmat e duhur për të ofruar liri të plotë lëvizjeje dhe siguri të plotë. Dhe besoj që ky është vetëm një hap.

Hapi tjetër së shpejti është pra, shumë shpejt besoj, ne do të jemi në gjendje që qeverive t’u ofrojmë mundësinë e nënshkrimit të një marrëveshjeje shumë të rëndësishme, e cila do të çojë në eliminimin e plotë të këtyre kontrolleve në kufirin tonë, pa cenuar aspak sigurinë.

Është një hap drejt vendosjes së standardeve të mirëfillta evropiane në kufirin tonë, ashtu siç i ndeshim në të gjithë kufijtë e sotëm të Evropës ku ne synojmë të anëtarësohemi. Edhe njëherë faleminderit!

e481ec7f-6812-4b07-a866-b05880232783.jpg

Article Logic
Execution time: 0.0036041736602783