Luana Vjollca ka ndarë disa detaje nga jeta e saj profesionale dhe private gjatë një interviste pas shumë kohësh larg ekranit në emisionin Goca & Gra, duke folur hapur për sakrificat, suksesin dhe anën e saj më pak të njohur.
Moderatorja u ndal te rrugëtimi i saj në media, duke pranuar se karriera dhe suksesi kanë pasur koston e tyre në jetën personale. E pyetur se sa i ka kushtuar suksesi në aspektin privat, Luana u shpreh se ky është një çmim që vjen natyrshëm me arritjet. “Është çmim që vjen bashkë me suksesin, është e pashmangshme,” tha ajo.
Gjatë intervistës, ajo u pyet edhe për buqetat e trëndafilave, të cilat në të kaluarën janë komentuar në media për vlerën e tyre që përflitej të arrinte shifra të larta. Megjithatë, Luana zgjodhi të mbetet e rezervuar, duke theksuar se preferon ta mbajë jetën private larg vëmendjes publike. “Trëndafila dhuratë, ç’të të them në këto momente. Jam një personazh që e kam të shenjtë jetën private, dua ta ruaj plot. Njerëzit flasin për shifra, unë preferoj të ruaj momentin,” u shpreh moderatorja.
E pyetur se çfarë është diçka që publiku nuk e di për të, Luana surprizoi me përgjigjen e saj të sinqertë: “Edhe unë kam frikëra, por zgjedh të mos më ndalin kurrë.”
Me këtë deklaratë, moderatorja tregoi edhe njëherë se pas imazhit të saj të fortë dhe të suksesshëm, fshihet një anë njerëzore që përballet me sfida, por që zgjedh gjithmonë të ecë përpara.








25 Feb 2026 





