INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Meta me pushime, por rrëzon një tjetër ligj!

Meta me pushime, por rrëzon një tjetër ligj! "Cënon financat dhe interesin publik"

Publikuar më: 10:08 09-08-2019

Presidenti Meta nuk dekreton një tjetër ligj, duke e rikthyer në Kuvend për rishqyrtim. Bëhet fjalë për kontratën koncesionare për rrugën “Rruga Orikum-Llogara”, për projektimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugës “Porti i jahteve-By-Pass Orikum-Dukat.

Sipas presidentit, ky ligj miraton një Kontratë Koncesionare ku vullneti i Qeverisë Shqiptare në këtë proces është formuar në kundërshtim të hapur me rregullat që normojnë këtë proces, në shkelje të parimit të konkurrencës së lirë dhe të barazisë përpara ligjit, duke krijuar rrezik për cenim të interesit publik.

“Kontrata e lidhur mes autoritetit kontraktor dhe operatorit ekonomik është formalizuar përgjatë një procesi jotransparent ndaj publikut dhe pa një bazë ligjore konkrete për negocimin e kushteve materiale të saj” – argumenton Presidenti, duke sqaruar më tej, se mungesa e një vlerësimi të qartë ekonomik, krijon rrezik për cënim të financave të shtetit dhe interesin publik;

“Nuk rezulton të ketë një studim fizibilteti të plotë dhe objektiv të hartuar dhe të miratuar nga institucionet shtetërore përgjegjëse të ngarkuara me ligj me këtë detyrë; Nuk është dhënë miratimi i këtij projekti nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, konform kërkesave të aktit që rregullon këtë proces; Rriskon seriozisht buxhetin e shtetit dhe ekonominë e familjeve shqiptare, pasi nuk ka një përllogaritje të saktë të efekteve të saj në ekonominë e vendit; Qëllimi i miratimit me ligj të kësaj kontrate është vetëm mbulimi i paligjshmërisë së bërë nga autoriteti kontraktor dhe qeveria shqiptare, me qëllim mosevidentimin e përgjegjësisë në këtë proces dhe mbulimin e çdo paligjshmërie nëpërmjet ligjit” – thuhet në dekretin e Presidentit

Presidenti i Republikës gjen me vend të evidentojë se institucionet financiare ndërkombëtare kanë kërkuar nga qeveria shqiptare në mënyrë eksplicite eliminimin në mënyrë të menjëhershme të ofertave të pakërkuara, si oferta me një kosto të rëndë në ekonominë e vendit.

Në kundërshtim me këto kërkesa të institucioneve financiare, Këshilli i Ministrave ka nënshkruar dhe Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar këtë kontratë koncesionare, që pretendohet të miratohet me ligjin nr. 51/2019, në kushte kaq të rënda paligjshmërie dhe në dëm të interesave të qytetarëve.

Një ditë më parë kreu i shtetit rrëzoi koncensionin për ndërtimin e rrugës Milot Balldren, ndërsa dy ditë më parë ktheu për rishqyrtim edhe ligjin për koncensionet dhe PPP-të.

Article Logic
Execution time: 0.0039570331573486