INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Messi shkruan historinë, Barca “gjunjëzon” Real-in

Messi shkruan historinë, Barca “gjunjëzon” Real-in

Publikuar më: 17:21 23-12-2017

Barcelona ka fituar 3-0 “El Clasico”-n me Real Madrid dhe ka hipotekuar titullin pas 17 javëve të para të kampionatit. Gjithçka është vendosur në 45 minutat e dyta, me Cristiano Ronaldo-n që do të ketë makthe për rastin e humbur në minutën e 11-të të pjesës së parë, që mund të kishte ndryshuar rrjedhën e super sfidës të luajtur në “Santiago Bernabeu”.
Gjithçka ka filluar mirë për vendasit që kanë gjetur golin pas tri minutash lojë me Cristiano Ronaldo-n, por që është anuluar për pozicion jashtë loje. Portugezi ka qenë përsëri protagonist pak minuta më vonë duke shpërdoruar një rast të pastër brenda zonës së rreptësisë të Barcelona-s. Kroos ka dhënë një pasim të saktë për portugezin, i cili ka dalë huq në momentin kur duhej të godiste.
Reagimi i Barçës ka ardhur në minutën e 30-të, kur Messi ka dhënë një pasim të mrekullueshëm për Paulinho, me gjuajtjen e këtij të fundit që është devijuar në goditje nga këndi nga një pritje e jashtëzakonshme e Keylor Navas. Dy minuta më vonë ka qenë portieri i miqve, Ter Stegen, që ka treguar vlerat e tij duke devijuar goditjen diagonale të Cristiano Ronaldo-s me këmbë. Fati i ka buzëqeshur katalanasve në fundin e pjesës së parë, kur goditja me kokë e Karim Benzema është ndalur nga shtylla.
Goli që ka zhbllokuar ndeshjen ka ardhur në minutën e 54-t, me Luis Suarez që ka finalizuar në mënyrën e duhur kundërsulmin perfekt të Barcelona-s. Tetë minuta më vonë ka ardhur edhe episodi që ka mbyllur përfundimisht takimin, me Real Madrid që ka mbetur me dhjetë lojtarë pas kartonit të kuq të marrë nga Carvajal, i cili ka prekur topin me dorë në zonën e rreptësisë.

Arbitri ka akorduar menjëherë penalltinë dhe te pika e bardhë është paraqitur Leo Messi, i cili nuk ka gabuar dhe ka realizuar golin numër 17 kundër Real-it në La Liga, më shumë se çdo lojtar tjetër në historinë e kampionatit spanjoll. Nuk mjafton me kaq, sepse argjentinasi ka kaluar edhe legjendën Gerd Muller, duke u bërë golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në pesë kampionatet kryesore të Europës me 526 realizime.

Skuadra e Zidane, pavarësisht inferioritetit numerik, ka shkuar disa herë afër golit që mund të kishte rihapur takimin, por pa e gjetur atë dhe në minutën e 93-të ata kanë pësuar edhe golin e tretë, të shënuar nga Aleix Vidal, i cili u fut në minutën e 92-të në vend të Sergi Robero. Kjo fitore ka ngjitur Barcelona-n në kuotën e 45 pikë, 14 më shumë se “Los Blancos”, që mbajnë vendin e 4-t, por që kanë një ndeshje për të rikuperuar. Për herë të parë në historinë e saj, Barcelona ka marrë tri fitore radhazi në tri ndeshje të kampionatit të luajtura në fushën e Real Madrid.

Article Logic
Execution time: 0.0039360523223877