INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Më fal që nuk u linda djalë!

Më fal që nuk u linda djalë!

Publikuar më: 16:34 18-04-2023

I dashur baba, e dashur mama.

Unë e di që ju më doni edhe më shumë se veten tuaj. Dashuria dhe nevoja për të mbrojtur fëmijën janë përtej kontrollit të ndërgjegjshëm.

E di që jeni kujdesur që të kem gjithçka që më duhet, më keni regjistruar në shkollat e kurset më të mira, më keni këshilluar, festuar ditëlindjet, më keni përqafuar dhe plotësuar plot dëshira.

Por unë di dhe gjëra të tjera, që as ju, as vëllai im duket se as nuk i vini re.
Unë i di, sepse unë i përjetoj dhe askush tjetër.

Unë e di që më thërrisni “biri”, edhe pse jam bijë, me arsyetimin “hë se shprehje popullore”. Përse kjo shprehje popullore, mama? Pse nuk u thërret populli djemve “bija”?

Unë e di që më kërkohet t’i çoj ujë apo ushqim vëllait, kur ai po pushon dhe asnjëherë e anasjellta. Në të vërtetë mua rrallë më bie të pushoj. Më thuhet “hë tani, ti e di si është ai!”.

Unë e di që ju mburreni me të si djalë i mirë, pasi ai nuk ka vese si duhani apo alkooli dhe nuk kërkon gjësende të shtrenjta. Por ama, me mua që flas 3 gjuhë rrjedhshëm, punoj dhe shkoj në shkollë me nota të mira, jam përherë e sjellshme e palodhur, duke u kujdesur për të gjithë, nuk mburreni.

Sa herë unë flas për të ardhmen, mua më thoni “ti do shkosh te burri”, duke injoruar ëndrrat dhe ambicjet e mia.

Sa herë vëllai sjell ndonjë vajzë për ta prezantuar, ju e shihni atë si inferiore ndaj tij dhe jo “e mirë mjaftueshëm” për të, ndërkohë që shoqja e tij e fundit ishte vajzë ëndrrash.

Unë nuk lejohem të shoqërohem me djem.
Unë nuk jam njeri i lirë e as nuk mund të rri natën jashtë, sepse ndonjë djalë i botës është rritur i papërgjegjshëm apo i dhunshëm.

Unë qortohem për ndonjë notë 8 që marr rrallëherë. Kur ai merr nota 7, thuhet “hë se kështu e kanë djemtë”.

Mua s’më jepet shpesh makina se jam vajzë, ndërkohë e ngas makinën më mirë se im vëlla.

Unë shikohem nga koka te këmbët si jam veshur, se mos padashur po zbuloj ndonjë pjesë trupi, që shoqëria e sheh shtrembër.

Mua më ruajnë kushërinjtë se ç’bëj 24 orë në ditë.

E dini sa e gjatë është lista, të dashur prindër? Por nuk po vazhdoj. Nuk po vazhdoj, sepse tashmë e di që, edhe këto që ju thashë, po mendoni që unë po e ekzagjeroj, pasi mua nuk më ka munguar asgjë.

Thjesht një mënyrë tjetër se si unë nuk dëgjohem nga ju e nga shoqëria dhe sesi nuk duhet të shprehem.

Unë nuk jam e inatosur me tim vëlla. Nuk është faji i tij. Dhe e dini ç’mendoj? Nuk është as faji i juaj.

Por ishte dhe është përgjegjësia juaj.

Për të thyer ciklet e prapambetura të së kaluarës, për të menduar pak më gjatë, për të ofruar trajtim të barabartë për dy fëmijë të barabartë.

Për të mos na e thyer zemrën neve, bijave tuaja.

Ndaj s’më mbetet tjetër të shtrenjtë prindër, veç t’ju them “më falni që nuk u linda djalë”.
Dhe, pavarësisht kësaj letre, ju premtoj që do të kujdesem gjithnjë për ju, edhe kur jeni të pamundur.

Article Logic
Execution time: 0.0035209655761719