INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Lojë spiunësh! Austria kërkon sqarime nga Gjermania, për përgjimin e 2 mijë personave

Lojë spiunësh! Austria kërkon sqarime nga Gjermania, për përgjimin e 2 mijë personave

Publikuar më: 14:17 17-06-2018

Austria kërkon sqarime nga vendi fqinj Gjermania rreth njoftimeve se shërbimi gjerman i zbulimit ka përgjuar për disa vjet rreth 2 mijë entitete, ndër to edhe kompani dhe ministri austriake. Presidenti austriak Alexander Van der Bellen tha se “spiunimi i vende mike nuk është vetëm i pazakontë dhe i padëshiruar. Është i papranueshëm. Në periudhën afatgjatë, kjo do të dëmtojë besimin e ndërsjelltë mes dy vendeve tona”. Gjermania dhe Austria janë vende anëtare të Bashkimit Evropian. Presidenti Van der Bellen dhe Kancelari austriak Sebastian Kurz reaguan pas publikimeve të gazetës më të madhe austriake në vend “Der Standard” dhe revistës së përjavshme “Profil” për një listë objektivash të përgjimeve në Austri të kryera nga Shërbimi Federal i Zbulimit (BND), i Gjermanisë, gjatë periudhës 1999 – 2006.

Në artikuj thuhet se për shtatë vite me radhë agjentët e BND-së gjermane kanë përgjuar mbi dy mijë shënjestra, përfshirë institucione politike, politikanë, organizata ndërkombëtare, banka, kompani dhe deri tek prodhuesit e armëve me aktivitet në Austri. Menjëherë pas këtyre artikujve ka reaguar Kancelari austriak, Sebastian Kurz. “Këto metoda nuk duhet të ekzistojnë mes dy vendeve miq. Dëshira jonë është që të dimë se kush u përgjua, kur u përgjua dhe sigurisht, duam garanci që këto përgjime nuk ndodhin aktualisht”, tha ai. Kancelari austriak thotë se do t’i dorëzojnë Berlinit një kërkesë për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve dhe për të hedhur dritë mbi skandalin. Në vitin 2014, në media qarkulloi lajmi se BND kishte ndihmuar agjencitë amerikane për të spiunuar zyrtarë të lartë në vende të ndryshme të Europës, mes të cilave edhe Austria. Një vit më vonë, Austria i dorëzoi një ankesë zyrtare Gjermanisë.

Por, tani lajmi është rikthyer dhe dyshohet se aktiviteti i spiunëve gjermanë ka qenë shumë më i zgjeruar se thjesht ndihma për kolegët amerikanë. Megjithatë, Kurz është i bindur se Gjermania do të japë sqarimet e nevojshme për rastin. Ai thotë se është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet e Berlinit. Ai pranoi se një hetim austriak në atë periudhë nuk nxorri konkluzione për zhvillimin e operacioneve të përgjimit, për shkak se autoritetet gjermane nuk patën bashkëpunuar, por shtoi se prokurorët do ta rishikojnë çështjen “nëse do të ketë të dhëna të reja”. “Der Standard” dhe “Profil” publikuan lajmin duke cituar se ai bazohej në dosjet e vetë BND, të siguruara nga një burim gjerman. Në listën e subjekteve të përgjuara të analizuar prej dy gazetave austriake gjen edhe Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore, që ka selinë e saj në Vjenë, ambasadën e Shteteve të Bashkuara dhe atë të Iranit, OPEC-un, por edhe ministra austriakë, banka dhe kompani që veprojnë në Austri si dhe agjencinë e lajmeve APA. Vetë BND nuk e ka komentuar deri më tani lajmin.

Article Logic
Execution time: 0.0040819644927979