INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION TECH MED+ SPORTS VIDEOS
Search
'Liria ka emër'/ Dua Lipa reagon pas verdiktit në Hagë

'Liria ka emër'/ Dua Lipa reagon pas verdiktit në Hagë

Publikuar më: 19:56 17-09-2026

Pas shpalljes së dënimeve ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ka reaguar edhe këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa.

Artistja ka bërë dy postime në InstaStory. Në njërin prej tyre ka publikuar një fotografi me logon e UÇK-së, të shoqëruar me hashtagun “Liria ka emër”.

Në postimin e dytë, Dua Lipa ka shpërndarë një fotografi me të dhëna për viktimat e luftës në Kosovë, ku përfshihen fëmijët e vrarë, gratë e dhunuara dhe mijëra persona që u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre gjatë luftës.

Reagimi i këngëtares vjen pas një dite të rëndësishme për procesin gjyqësor në Hagë, ku Dhomat e Specializuara shpallën dënimet për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.

Sipas vendimit të publikuar sot, Thaçi u dënua me 25 vjet burgim, Veseli me 18 vjet, Selimi me 13 vjet, ndërsa Krasniqi me 25 vjet burgim.

Dua Lipa është shprehur ndër vite për lidhjen e saj me Kosovën dhe ka përdorur platformën e saj ndërkombëtare për të folur për vendin dhe historinë e tij.

Pas vendimit të Hagës kanë reaguar edhe figura të tjera publike shqiptare, përfshirë këngëtaren Rita Ora, ndërsa verdikti ka shkaktuar reagime të shumta në Kosovë dhe Shqipëri.