INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Ligji i Vetingut: Rama i bën thirrje Gjykatës Kushtetuese të dorëzojë sa më parë vendimin

Ligji i Vetingut: Rama i bën thirrje Gjykatës Kushtetuese të dorëzojë sa më parë vendimin

Publikuar më: 19:16 12-12-2016

Kryeministri Edi Rama u ka bërë thirrje gjykatësve kushtetues që ta dorëzojnë sa më parë vendimin e tyre, për ligjin e Vetingut, për t’i hapur rrugën pastrimit të Pallatit të Drejtësisë! Rama është shprehur kështu, pas marrjes së opinionit nga Komisioni i Venecias, për ligjin e Vetingut, për të cilin tha se tashmë është në tryezën e Gjykatës Kushtetuese, i qartë e pa asnjë ekuivok. “Ligji i Vetingut është në përputhje të plotë me Kushtetutën e Republikës sonë dhe tashmë i takon Gjykatës Kushtetuese t'i hapë rrugë një orë e më parë. Nuk ka më asnjë ditë për të humbur më tutje qoftë për të larguar nga Pallati i Drejtësisë, përmes Ligjit të Vetingut, gjykatësit e prokurorët e korruptuar dhe qoftë për të afruar më shpejt, përmes fillimit të negociatave, Shqipërinë me Shtëpinë e Europës së Bashkuar!”-deklaroi kryeministri.

Rama vijon të jetë i palëkundur në bindjen e tij se “gjykata mund të kishte mbaruar me kohë këtë punë e se zbatimi i ligjit mund të kishte nisur. Sipas kryeministrit Rama gjykatësit kushtetues nuk kishin vërtetë nevojë për opinionin e Venecias.
“Gjykata Kushtetuese mund ta kishte mbaruar me kohë këtë punë dhe sot Shqipëria do të kishte nisur zbatimin e Ligjit të Vetingut e po ashtu, edhe negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian. Askush nuk më bind dot se gjykatësit tanë kushtetues kishin vërtet nevojë për Opinionin e Venecias dhe nuk e bënin dot punën e tyre pa të! Ata kanë treguar se kur duan, dinë ta bëjnë më së miri detyrën e tyre në shërbim të Kushtetutës e të interesave të këtij vendi. Nuk u mungon as dija dhe as eksperienca!”-shkruan Rama në rrjetin e tij social facebook.

Më tej numri një i qeverisë ka bërë të ditur se “nuk do t'i ndalin përpjekjet për të operuar sistemin e kalbur të drejtësisë, përmes Reformës në Drejtësi, të cilën nuk do ta lënë të kalbet në letër. “Në emër të të gjithë shqiptarëve që duan të njëjtën gjë, u bëj thirrje gjykatësve kushtetues të Republikës së Shqipërisë të na dorëzojnë sa më parë vendimin e tyre, për këtë ligj që hap rrugën e pastrimit të Pallatit të Drejtësisë! Uroj që Gjykata Kushtetuese të mos bëhet mburojë e të shkuarës që prej çerekshekulli mban peng drejtësinë në këtë vend, po të vendoset në anën e duhur të historisë”-deklaron Rama.

Article Logic
Execution time: 0.0051798820495605