INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Lamtumira e një ARRATI-e të pambaruar...

Lamtumira e një ARRATI-e të pambaruar...

Publikuar më: 11:57 29-08-2017

Nga Rezarta Reçi

Do hynte në edicionin e 13-të tij. Por jo!

“Arratia e Peshkut të Kuq”, emisioni i përjavshëm social-kulturor në Neës24, në shtator nuk do të jetë më në kete ekran.

Sipas administratorëve “Arratia…” vdiq, dhe duhet ta harroj!

Nuk pres ngushëllime për “Arratinë…”, sepse më dhembin më shumë humbjet njerëzore, se humbja e “Arratisë…”!

Por kam shumë të flas, as një jetë nuk më mjafton.

Falenderoj televizionin News24 që më krijoi mundësinë të shpërfaq dhe të ndërtoj, thuajse si një milingonë punëtore, një “Arrati…” të qëndrueshme, të shikueshme, të vlerësuar, të admiruar, të tejndjekur, të dashur, komunikative dhe me nivel, me të cilën modestisht identifikohem! Ka qenë një “betejë” këmbëngulëse, plot pasion dhe pa u thyer deri në këtë çast të mbramë, një përpjekje për të përcjellë me kulturë dhe etikë, rrëfime domethënëse dhe me vlere të personazheve - personalitete, njerëz që i kanë dhënë këtij vendi, të cilët më besuan copëza jete të tyre, pasionin në profesonin e tyre, përkushtimin intensiv profesional në shërbim të një shoqërie që transformohet çdo ditë.

Falenderoj të gjithe ato personazhe të emisionit “Arratia e Peshkut të Kuq”, të cilët hapen dyert e shtëpive dhe zemrat e tyre, duke qenë të vërtetë, të këndshëm, spontanë, me sharm dhe të kulturuar. Në arkivën e “Arratia e Peshkut te Kuq”, që tashmë është një thesar, strehohen dhe kanë jetën e tyre të fiksuar përjetë, rreth 700 personazheve, një pjesë e të cilëve (për fat të keq), nuk jetojnë më, por që me rrëfimet e tyre, janë të pranishëm mu për hir të “Arratisë…”, regjistrimi i tyre mund të ketë qenë ndoshta ndër të fundit. Harta e dokumentimit te fragmenteve jetësore të personazheve të “Arratisë…” përfshin pothuajse të gjithë Shqipërinë, por edhe vendet fqinje, ndërsa fushat e kontributeve të tyre janë të të gjithave: art, kulturë, shkencë, mjekësi, sport, inxhinieri, etj, duke ua ruajtur nivelin e komunikimit dhe spontanitetin e personazheve të përzgjedhur, etikën, gjallërinë, naturalitetin, freskinë, lirshmërinë në bisedë, imazhin në gjithshçka që ofrohej gjatë minutave të “Arratisë…” Falenderoj të gjithë atë ekip të ngushtë, por që janë pjesë e suksesit të “Arratisë…”, operatorët Erind Vogli, Klevis Caka, Armand Hallvaxhiu, Stivi Meshini, Neritan Shamo dhe Orgest Shima, montazhieret Trim Radoja, Ervin Murati dhe Julian Buzo, që nuk u lodhën kurrë nga bashkëpunimi shumëvjeçar me mua, duke ndërtuar bashkë një skuadër të vogël pune, por domethënese dhe të spikatur.

Falenderoj të gjithe njerëzit dashamirës, të gjithë ndjekësit besnikë a të rastësishëm, që e mbështetën në vite rrugëtimin e mundimshëm, idealist por të mrekullueshëm të “Arratisë së Peshkut të Kuq”.

Falenderoj të gjithë ata teleshikues, miq e të njohur që nuk harruan kurrë të më shkruajnë, të më telefonojnë, të më shprehin kënaqësi dhe mirënjohjen për emocionin që u jepte “Arratia…” e të tjerë akoma që më kanë shprehur mirëjohje për mundësinë që “Arratia…” u kishte dhënë për të njohur një anë tjetër të personazheve, njerëzoren dhe diskrete, të panjohur më pare për ta, dhe të tjerë akoma që e kanë ndjekur në mënyrë besnike apo rastësore transmetimet e vona a të hershme të “Arratisë…”!

U jam “shumë” mirënjohëse edhe atyre njerëzve të paktë, por të fuqishëm, që u përpoqën dhe ia dolën me luftën e tyre të paprinciptë e të nënrrogoztë, si nga zemra e errësirës, t’i ngrenë çarkun e mbramë “Arratisë…”, t’ua mbyllin edhe një dritare njerëzve që meritojnë të flasin, të shfaqen dhe të komunikojnë më gjerë. Për artin do të ketë gjithnjë skalione të gatshëm ta fikin, nga urrejtja genetike ndaj së bukurës, dhe kjo e kundërta e artit, mbase të lindur në një ditë me të. Ku ka Mozart, ka edhe Salierë. Në dilemën historike “Të kesh apo të jesh”, tani në vitin 2017 të tillë njerez më bëjnë të besoj se nuk e vlen " të jesh", se fiton gjithmonë po “të kesh”, fiton paaftësia, meskiniteti, ligesia, zilia, jodashamirësia.

Hapyy end ka vetëm në përralla, ndonjëherë në fiksion dhe nëpër filmat lumturakë, pra në virtualitet.Të tjerat, realet, janë për të gjallët, në fijen e gjykimit nga ndërgjegjja dhe shpengimi do të kalojmë të gjithë. Një ditë, kurdo që të jetë ajo ditë, edhe po të mos e shohim ne, ajo është aty. Kam lexuar e parë shumë, por për të keqen nuk mësova dot kaq shumë! Sepse ajo punon me valë të tjera, ku unë nuk hyj dot.

Të falenderoj “Arrati...” që më ruajte në këtë profesion të vlefshëm, që identifikon jetën time, që më dhe emër të mirë, pasion joshterues, miq cilësorë, dinjitet dhe integritet, dëshirë për ta parë botën dhe njerëzit me dashuri, mirësi, fisnikëri dhe besim! Më dhe mirësinë për të bërë mirë, për t’i dhënë sadopak këtij vendi, që ka nevojë më shumë se për gjithçka për artin dhe kulturën, sportin e dijen, dhe gjithçka që i jep atij thelbin e bukur.

Unë të dua “Arrati...”!

“Arratia…” vdiq!, thane...

Rroftë “Arratia…”! them unë modestisht...

Article Logic
Execution time: 0.003633975982666