Këngëtari i njohur nga Kosova, Labinot Tahiri ka bërë një tjetër gjest bamirësie, këtë herë në mbështetje të familjes së këngëtarit të ndjerë Shpat Kasapi.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Tahiri ka bërë të ditur se ka depozituar 5 mijë euro në llogarinë e familjes së Shpatit, nga të cilat 4 mijë euro i ka dhuruar nga ana e tij, ndërsa 1 mijë euro janë dhënë nga këngëtari 2 Ton.
“Gjithmonë me Zotin dhe dashamirët mbrapa Roelit të Shpatit me vepra”, shkroi Labinoti, duke falënderuar edhe 2 Tonin për kontributin e tij.
Ai bëri gjithashtu apel për artistët dhe të gjithë ata që kanë mundësi të ndihmojnë familjen e Shpatit, duke theksuar se mbështetja financiare është e nevojshme për rritjen e djalit të tij, Roelit, dhe për nënën e tij, Selvien.
“Artistë; këngët kendojani, por edhe depononi mjete derisa të rritet Roeli, sepse ai dhe zonja Selvie e Shpatit kanë nevojë për mjete”, u shpreh këngëtari.
Tahiri iu përgjigj edhe kritikëve që mund të kundërshtojnë nisma të tilla bamirësie, duke sjellë në vëmendje një shprehje të Nënë Terezës: “Vepra të vogla, por me dashuri të madhe.”
Në mesazhin e tij, Labinoti foli edhe për rëndësinë e solidaritetit dhe traditës së bamirësisë shqiptare, duke shprehur besimin te zemërgjerësia e njerëzve.
“Nëse nesër fëmijët e mi kanë nevojë për ju, nëse unë vdes, e di mirë që populli im është me zemër sa i gjithë planeti. Prandaj unë besoj në popullin tim shqiptar dhe në dorën e tyre bujare”, shkroi ai.
Në fund, Tahiri iu drejtua me një mesazh të ndjerë djalit të Shpat Kasapit: “Roel, të do xhaxhi Labi.”
