Këngëtari dhe ish-banori i “Big Brother VIP Albania”, Jozefin Marku, është shoqëruar nga policia pas publikimit të një videoje që ka shkaktuar reagime të shumta në rrjet, ku ai shfaqet duke u përfshirë në një konflikt fizik me ish-konkurrentin e “Big Brother VIP Kosova”, Eduart Kuçin, i njohur si Edi.
Sipas raportimeve të “Top Channel”, Marku është ndaluar nga forcat e rendit gjatë mëngjesit të sotëm në Tiranë, në zonën e Kombinatit. Bashkë me të është shoqëruar edhe një tjetër person, i cili dyshohet se ka qenë i përfshirë në ngjarjen e filmuar.
Pamjet që qarkulluan në rrjet tregojnë një përplasje fizike mes Markut dhe Kuçit, ndërsa në vendngjarje shfaqen edhe persona të tjerë dhe disa automjete që duket se kanë bllokuar rrugën. Videoja u përhap me shpejtësi në rrjetet sociale, duke sjellë reagime të shumta dhe duke bërë që rasti të tërhiqte vëmendjen e autoriteteve.
Nga verifikimet e para të policisë është përcaktuar se incidenti ka ndodhur në Tiranë, pranë mbikalimit të Rinasit. Në kuadër të hetimit, janë sekuestruar edhe pamjet e kamerave të sigurisë të zonës, të cilat pritet të ndihmojnë në dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe në identifikimin e personave të tjerë që shfaqen në video.
Ndërkohë, sipas raportimeve të “Prive By Liberta Spahiu”, një ditë më parë Prokuroria e Pejës kishte lëshuar fletë-arrest për Jozefin Markun, lidhur me rastin e dhunimit të shtetasit nga Kosova.
Hetimet vijojnë për të sqaruar rrethanat dhe motivet që çuan në përplasjen mes dy personazheve, ndërsa autoritetet po punojnë edhe për përcaktimin e përgjegjësisë së personave të tjerë që mund të kenë marrë pjesë në incident.
