INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Koha më e mirë për përparimin e Unionit Kombëtar të Studentëve Shqiptar

Koha më e mirë për përparimin e Unionit Kombëtar të Studentëve Shqiptar

Publikuar më: 17:53 13-12-2018

Nga Daniel Nikolla


Ky është momenti më i mirë për të krijuar nga bërthama Unionin Kombëtar të Studentëve shqiptare ose konsoliduar, ashtu sikurse sugjeron Facebook: Këshillin Studentor Kombëtar.

Çfarëdo qofshin para apo prapaskenat e protestës dhe sido që të vazhdojë ajo, kjo është një mundësi shumë e mirë për ta shtyrë së bashku me kërkesat e tjera që tashmë janë bërë publike: krijimin e një Unioni Kombëtar që përfaqëson studentët.

Mosbindja dhe mosdakordësimi për pseudo-negociata nga studentët tregon jo vetëm synime të disa nga blloqeve të tyre, por edhe atë çka çdo student i thjeshtë mendon. Aq shumë mosbesim ka ndër vite rinia saqë preferon të mos zgjedhë asnjë grup për përfaqësim. Po sigurisht që duhen struktura për të zgjedhur dhe përfaqësuesit. Fakt është që shumica e të rinjve preferojnë mos të votojnë gjithashtu.

Përtej realitetit kokëfortë, unionet studentore ndihmojnë në ndërtimin e individëve më të mirë për shoqerinë. Nëpërmjet trajnimeve të ndryshme, takimeve me ‘kolegë’ nga qytete dhe zona të ndryshme, procese zgjedhore demokratike që zgjedhin përfaqësuesit dhe shumë metodave të tjera ndihmojnë të krijojnë lider të rinj që nuk varen nga askush, përveç principeve dhe dëshirave të tyre. Shqetësimi më i madh që dëgjoj dhe lexoj është që shumë të rinj në Shqipëri shesin vrullin, pasionin, energjinë të të ashtuquajturit ‘’lider’’, shpesh politik. Është zhgënjyese sesi komandohen fare lehtë, po sigurisht jo të gjithë.

Por, nëse eprorët, profesorët, drejtorët, politikanët, pseudo-kryetaret janë gabim, thuajani 100% siç e mendoni dhe këmbëngulni nëpërmjet argumentimit! Njerëzit me më shumë eksperiencë, në çfarëdo fushe, kanë gjithnjë (ose shumicën e kohes) me shumë argumente bindëse sesa të rinjtë. Nga ana tjetër, studentët më ‘’’kokëfortë’’ dhe me më shumë argumenta, pasion dhe këmbëngulje janë ata që respektohen më së shumti nga ‘’profesionistët’’ që përmenda më sipër.

Unionet Kombëtare studentore funksionojnë shumë thjesht. Ato duhet të përbëhen nga Unionet e çdo gjimnazi dhe universiteti të Republikës së Shqipërisë. Unioni i studentëve europiane dhe unionet e tjera të shteteve më të zhvilluara në perendim, Anglia, Gjermania, Franca etj., kanë gjithnjë politika ndihmuese kundrejt unioneve me të pazhvilluara, me literaturë, trajnime, programe shkëmbyese etj.

Të gjitha këto, përgatisin të rinj me mendim politik më të zhvilluar dhe lidere të garantuar të së ardhmes. Me fjalen lider, nuk do të thotë që gjithmonë të behen Kryetar Bashkie apo Kryeministra, por të jenë lider në çdo veprim që bëjnë gjatë çdo dite dhe nëpërmjet tyre të frymëzojnë.

Është mjerim kur një i ri me potencial të jashtëzakonshëm, kuriozitet dhe uri të madhe për të mësuar gjëra të reja dhe eksploruar mjedise të reja, bëhet vegël e të tjerëve duke penguar zhvillimin individual të personalitetit, ëndrrave dhe dëshirave.

Jo, jo, jo! - vetëm se e thotë një person me më shumë eksperiencë, influencë apo arrogancë, qofte shqiptar apo i huaj - nuk do të thotë që duhet të sakrifikoni personalitetin, figurën dhe ambicien tuaj.


Unioni ku isha krenar të isha pjesë ishte National Union of Student UK. Aty isha jo vetëm President i Unionit te institucionit ku studioja dhe u zgjodha si anëtar në Këshillin Ekzekutiv duke fituar zgjedhje demokratike ndër studente angleze, por edhe ai studenti i huaj nga Shqipëria që i ‘habiti’ drejtuesit e institucionit sepse nuk i lëpihej apo nuk i shitej lajkave të bordeve.

Në takimin e parë me bordin drejtues, më panë me çudi nga aksenti dhe sepse kisha qëndrim të kundërt ndaj pjesës më të madhe të anëtarëve që nuk ishte në favor studentëve, rreth një vendimi të rëndësishëm që po merrej. Në takimin e dytë, filluan të më ‘joshnin’ me mënyra të ndryshme dhe kjo vazhdoi deri në fund të detyrës. Por në takimin e tretë, të katërt të bordit filluan të më respektojnë dhe ndihmojnë pasi dhe sepse shpesh mund të kisha pikëpamje tjetër, e shihnin pasionin, punën dhe vizionin e Unionit të Studenteve në atë vit. Në fund të atij viti, arritëm të zgjidheshim si Unioni Studentor i dytë më i mirë në Britani të Madhe ndër mbi 350 kolegje anëtare dhe kjo hapi rrugën që të investohej edhe më shumë në unionin studentor të kolegjit.

Sigurisht që ata e dinin për të kaluarën e Shqipërisë dhe dikush më tha që e priste që një shqiptar të kishte kaq shumë energji dhe pasion mbas 50 vitesh izolim. Një vit më vonë, një nga personat që ‘debatonim’ më shpesh për të drejtat e studentëve, president i një kompanie në City of London, më ftoi të bëja internship tek kompania e tij.

Me këtë doja thjesht të tregoja që sa më shumë të lëpiheni, aq më shumë mbyllet horizonti!

Tre vite më parë kur u bëra pjesë e Unionit të Studentëve në Britani të Madhe, pyeta një anëtar të Bordit se si funksionon Unioni Studentëve Europian (ESU). Doja të shihja mundësinë e lobimit për një votë më shumë për një Këshill Studentor shqiptar që ishte listuar krahas atyre të Ukrahinës, Moldavisë dhe Turqisë.

Nuk e di çfarë ndodhi, por e di që nuk ka sot një Union të Studentëve shqiptar të antarësuar në ESU. Serbia, Mal i Zi, Maqedonia, Moldavia, Bosnia e shumë vende të tjera janë antare.

Gjithmonë pyesja veten PSE JO SHQIPËRIA?


Do të doja ta mbyllja duke thënë që protesta aktuale e studentëve sjell shumë shpresë. Pasioni që shihet në shesh, fjalime, meme dhe rrjete sociale nga studentet e thjeshtë, aktivistët dhe çdokush tjetër i përfshirë me pastërti, është i dukshëm dhe i vërtetë. Të negociosh sidomos me kryeministra është e veshtirë, jo sepse janë mjeshtra, por sepse flasin budallallëqe në këndvështrimin studentor!

Ndërkohë që çfarëdo rrjedhë që protesta të marrë, ju keni treguar që nuk mund të injoroheni më.
Krijimi i Unionit Kombetar Studentor shqiptar është domosdoshmëri - ju lutem krijoheni dhe aktivizohuni! #MeStudentët, gjithmonë!

 

radio TV

 

Të fundit

Kryesore

    LIKE Shqip Top 10

    poll
    Article Logic
    Execution time: 0.0075662136077881
    array(1) { ["section"]=> string(77) "koha-me-e-mire-per-perparimin-e-unionit-kombetar-te-studenteve-shqiptar-81515" }