INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
KafeIN/ Gazetarja Anita Likmeta: Ëndrra evropiane e Shqipërisë? Jeni ende larg! [VIDEO]

KafeIN/ Gazetarja Anita Likmeta: Ëndrra evropiane e Shqipërisë? Jeni ende larg! [VIDEO]

Publikuar më: 10:44 06-03-2019

Anita Likmeta, gazetarja e Huffington Post Italia, në një lidhje me emisionin “KafeIN” nga Italia ku jeton dhe punon, u shpreh skeptike ndërsa u pyet për ëndërrën evropiane që shqiptarët presin të realizohet prej 28 vitesh.
Sipas saj, Shqipëria është ende larg realizimit të standardeve që duhet të plotësojë dhe faj për këtë ka e gjithë klasa politike.
“Nëse vëreni në faqen e BE, janë disa pika si kushte kryesore për të qenë në familjen evropiane. Ende jeni shumë larg tyre”, tha gazetarja Likmeta.
E pyetur nga moderatori i “KafeIN”, Flavio Qarri, Anita tha se është larguar nga Shqipëria në vitin e mbrapshtë ’97 kur ishte vetëm 13 vjeç dhe gjithçka e ka arritur falë punës e përpjekjeve të saj e familjes.
Në perceptimin e saj si gazetare për krizën politike në Shqipëri, Likmeta tha se ajo cka vëren është një mërzi kolektive për çdo gjë dhe një nënvlerësim i shqiptarëve për votën e tyre.
“Unë kam qenë pranë ngjarjeve të fundit që kanë ndodhur në Tiranë.
Kam mbështetur protestën e një grupi intelektualësh për të mbrojtur Teatrin, si dhe kam ndjekur dhe lëvizjen e studentëve. Shoh në rrjetet sociale që shajnë e fyejnë kryeministrin, në një kohë që ju e keni votuar këtë klasë politike”, tha Anita.
Në lidhje me profesionalizmin e medias, diferenca mes Shqipërisë dhe Italisë ku ajo punon, gazetarja shqiptare tha se në çdo vend puna e gazetarit është e vështirë, ai duhet të zgjedhë midis të qenit shërbëtor i pushtetit apo të shprehë mendimin e tij të lirë e të pavarur.

Article Logic
Execution time: 0.0020678043365479