INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Ju kujtohet lulishtja tek Komuna e Parisit? Ja si do transformohet…[FOTO]

Ju kujtohet lulishtja tek Komuna e Parisit? Ja si do transformohet…[FOTO]

Publikuar më: 14:40 30-08-2016

Lulishtja tek Komuna e Parisit do të transformohet rrënjësisht. Ky shesh që njihet si vend me pak pemë dhe lulishte që po shkonin drejt degradimit do të marrë një pamje krejt të re, e cila do të jetë apostafat për fëmijët, por edhe për gjyshërit e prindërit e tyre.
Bashkia e Tiranës ka nisur zbatimin e projektit për ndërtimin e një këndi lojërash për fëmijë e zonës së “Komunës së Parisit”, i cili do të shërbejë edhe si një shesh pushimi për të moshuarit dhe banorët e zonës.

Sipërfaqja totale e sheshit ku do të zbatohet projekti është rreth 800 m2, ku gjysma e sipërfaqes është e gjelbëruar dhe gjysma tjetër është dedikuar për krijimin e këndit të lojërave dhe pjesëve për kalim. Ai do të ketë zona Wi-Fi dhe stola për të moshuarit. Pas tre këndeve të inauguruara, këndi i nisur në Komunën e Parisit është këndi i shtatë i filluar nga bashkia, duke garantuar të njëjtën cilësi dhe standard. Sipas Bashkisë së shpejti vijojnë punimet në dy kënde të tjera në Kombinat dhe te Oxhaku, ndërsa brenda vitit do të synohet të përfundojnë 12 sheshe sportive dhe kënde lojërash për fëmijë.

Fillimin e punimeve e pa nga afër dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili tha se do të krijojë kushte dhe mundësi të njëjta arsimimi dhe argëtimi për fëmijët në të gjitha lagjet e kryeqytetit.
“Komuna e Parisit, njësia 5, është ndoshta qyteti i dytë më i madh në Shqipëri, pas Tiranës për nga popullsia. Ndaj nuk mjafton që kemi investuar kaq shumë në kopshte dhe çerdhe, por duhet që edhe hapësirat rekreative të jenë në të njëjtin nivel. Edhe në këtë rrugë kryesore do të fillojmë me këtë kënd lodrash, i cili do të jetë i gatshëm pas 6 ose 8 javësh”, u shpreh Veliaj.
Mes të tjerash kreu i Bashkisë shtoi se më mirë të punohet për gjeneratën tjetër, se sa për zgjedhjet e ardhshme.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës kërkoi edhe mirëkuptimin e banorëve dhe bizneseve përreth që ta ruajnë investimin, pasi përveçse u shërben fëmijëve të lagjes së tyre, shërben edhe për të rritur vlerën e pronës.
“Dua të falenderoj të gjithë banorët për bashkëpunimin, t’ju kërkoj lokaleve që janë këtu pranë që, teksa bashkia jep këtë investim, bashkë me donatorët, ata kanë detyrë ta mirëmbajnë, të kujdesen, duke qenë se të parët që u rritet vlera janë bizneset e tyre dhe sigurisht, edhe apartamentet ngjitur, sepse e kanë shtëpinë pranë një parku”, u shpreh Veliaj.

Article Logic
Execution time: 0.0035281181335449