Një video e Joz Markut në një dasmë është bërë virale në rrjetet sociale, duke ngritur pretendime se këngëtari ka dalë nga banesa, pavarësisht masës së sigurisë “arrest në shtëpi”.
Në pamjet që po shpërndahen, ish-banori i “Big Brother VIP Albania” shihet mes të ftuarve në një dasmë, ku merr mikrofonin dhe nis të këndojë. Krahas videos është vendosur edhe mbishkrimi: “Pas daljes nga burgu, Joz Marku i bashkohet gëzimit familjar dhe ia merr këngës në dasëm”.
Por pretendimi që shoqëron videon nuk qëndron.
Pamjet nuk janë të ditëve të fundit dhe nuk dokumentojnë një dalje të Joz Markut nga banesa pas vendimit të gjykatës. Videoja është e vjetër dhe i përket një momenti të mëparshëm.
Për këtë arsye, vetëm kjo video nuk mund të konsiderohet si provë se këngëtari ka shkelur masën e sigurisë të vendosur ndaj tij.
Joz Marku u arrestua më 5 shtator, pas publikimit të pamjeve të konfliktit me Eduart Kuçin. Në atë kohë, Policia e Tiranës bëri të ditur se ndaj tij po hetohej për disa vepra penale, mes tyre “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Kanosja”.
Më 9 shtator, Gjykata e Tiranës vendosi lirimin e tij nga qelia, duke caktuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.
Bëhet fjalë për një masë sigurie gjatë procesit gjyqësor dhe jo për një dënim përfundimtar.
Kështu, videoja e dasmës që po qarkullon në rrjet duhet parë në kontekstin e duhur: ajo është një material i vjetër dhe nuk dëshmon se Joz Marku ka dalë nga banesa apo ka shkelur masën “arrest në shtëpi”.
