INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION TECH MED+ SPORTS VIDEOS
Search
Joz Marku në 'stop list', Prokuroria e Pejës nis hetimet pas përplasjes me Edi Kuçin

Joz Marku në 'stop list', Prokuroria e Pejës nis hetimet pas përplasjes me Edi Kuçin

Publikuar më: 09:31 04-09-2026

Përplasja mes Joz Markut dhe Ed Kuçit nuk mbetet më vetëm një ngjarje e komentuar në rrjetet sociale. Çështja ka kaluar në procedurë penale, ndërsa institucionet e drejtësisë në Kosovë kanë ndërmarrë hapat e parë ndaj ish-banorëve të “Big Brother VIP”.

Prokuroria Themelore në Pejë ka nisur një rast penal ndaj Joz Markut, pas pamjeve të bëra publike që dokumentojnë konfliktin fizik mes tij dhe Ed Kuçit.

Sipas Prokurorisë, rasti është iniciuar nga prokurori kujdestar me vetiniciativë. Zëdhënësi i institucionit, Shkodran Nikçi, ka konfirmuar se hetimi lidhet me dyshimin për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, në lidhje me dëmtimet që dyshohet se ka pësuar Ed Kuçi.

“Prokurori i shtetit nga Prokuroria Themelore në Pejë, përkatësisht prokurori kujdestar, me vetiniciativë ka hapur rast penal ndaj J.M., shtetas i Republikës së Shqipërisë”, ka deklaruar Nikçi për Indeksonline.

Në kuadër të procedurës, Policia e Kosovës është autorizuar të ndërmarrë veprimet e nevojshme ligjore. Ndër masat e kërkuara është edhe vendosja e Joz Markut në stop list, ndërsa sipas raportimeve, policia është autorizuar gjithashtu për arrestimin e tij.

Prokuroria ka argumentuar se veprimet ligjore mund të ndërmerren edhe ndaj një shtetasi të huaj, kur plotësohen kushtet e parashikuara nga Kodi Penal për një vepër të kryer jashtë territorit të Kosovës ndaj një shtetasi kosovar.

Ngjarja u rikthye në qendër të vëmendjes pas publikimit të videove nga konflikti mes dy ish-konkurrentëve të “Big Brother VIP”. Në pamjet e publikuara, Ed Kuçi shihet duke u goditur gjatë përplasjes dhe më pas duke përfunduar në gjunjë.

Tashmë, pas zhurmës së krijuar në rrjetet sociale, përplasja ka marrë një tjetër dimension, teksa rasti po trajtohet zyrtarisht nga organet e drejtësisë së Kosovës.