INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION TECH MED+ SPORTS VIDEOS
Search
Jonida Vokshi konfirmon largimin nga Big Brother VIP Kosova pas katër edicionesh?

Jonida Vokshi konfirmon largimin nga Big Brother VIP Kosova pas katër edicionesh?

Publikuar më: 13:35 30-08-2026

Një ndryshim i rëndësishëm pritet në sezonin e pestë të “Big Brother VIP Kosova”. Pas katër edicionesh në krah të Alaudin Hamitit, Jonida Vokshi ka vendosur të mos rikthehet këtë herë në rolin e moderatores së reality show-t.

Lajmin e ka bërë vetë të ditur përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka shpjeguar edhe arsyen që e ka çuar drejt këtij vendimi. Për herë të parë që prej nisjes së formatit, Jonida do ta ndjekë spektaklin jo nga studioja, por nga ekrani.

“Jo, këtë herë nuk do të jem në Big Brother VIP Kosova. Pas katër edicionesh, kjo është hera e parë që do ta shoh atë nga ana tjetër e ekranit”, ka shkruar ajo.

Për moderatoren, largimi nuk është thjesht një ndryshim profesional. Katër sezonet kanë përkuar me disa prej momenteve më të rëndësishme të jetës së saj, mes gëzimeve familjare dhe një humbjeje të dhimbshme.

“Big Brother më ka shoqëruar në katër nga vitet më intensive të jetës sime. Më ka gjetur shtatzënë, më ka gjetur mes dhimbjes së humbjes së babit tim, më ka dhënë emocionet më të bukura, më të forta. Më ka parë të rritem e të ndryshoj”, është shprehur Vokshi.

Tashmë, ajo duket se ka zgjedhur t’i japë përparësi familjes. Ritmi i punës gjatë viteve të fundit ka qenë i lartë dhe moderatorja ka ndarë me ndjekësit dëshirën për të qenë më pranë dy fëmijëve të saj, të cilët po rriten.

“Ndjej që kam nevojë të ngadalësoj pak ritmin, për t’u dhënë më shumë praninë time atyre ku dy zëra më thërrasin mami. Ata po rriten dhe unë jam gjithmonë duke vrapuar”, ka shkruar ajo.

Megjithatë, Jonida nuk e konsideron këtë një mbyllje përfundimtare të këtij kapitulli. Fjalët e saj lënë të kuptohet se bëhet fjalë për një pauzë, ndërsa në të ardhmen mund ta shohim sërish në projekte të tjera televizive.

“Një kapitull që nuk po e mbyll me pikë. Thjesht po vendos një presje”, ka deklaruar moderatorja.

Në fund, ajo ka uruar suksese Alaudin Hamitit dhe Olsa Muhametit, të cilët do të jenë pjesë e sezonit të ri.

Jonida Vokshi ka qenë në krye të “Big Brother VIP Kosova” që prej edicionit të parë, në vitin 2022.

Edhe pse Jonida u bë e famshme më shumë nga gafat si prezantuese, të cilat ktheheshin menjëherë në meme, ajo arriti të jetë në moderimin e Big Brother Kosova prej plot katër sezonesh.