INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
ISIS plan për të destabilizuar Kosovën. Sulm me eksploziv në diskoteka, kisha dhe trupat e KFOR

ISIS plan për të destabilizuar Kosovën. Sulm me eksploziv në diskoteka, kisha dhe trupat e KFOR

Publikuar më: 15:05 10-10-2018

Një grup prej 6 personash  cili dyshohet se kishte lidhje me ISIS planifikoi të kryente sulme terroriste në Kosovë, Francë e Belgjikë. Mbi gjashtë muaj hetime të Prokurorisë Speciale të Kosovës kanë zbardhur se grupi i lidhur me struktura të larta të ISIS-it kishte ndërtuar plane për të destabilizuar Kosovën dhe për ta sjellë atë në gjendjen e vitit 2004. Qëllimi ishte që të sulmoheshin vende shumë të populluara, të shenjta apo edhe forcat e policisë. Media kosovare Kallëzo. Com shkruan se grupi kishte ideuar sulme në diskotekën në Graçanicë, sulme mbi Kishën Ortodokse në Mitrovicën e Veriut e deri tek sulmet vetëvrasëse mbi KFOR-in. Pak ditë pasi Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë ndaj 6 personave për vepra penale që lidhen me terrorizmin.  Bëhet fjalë për Bujar Behramin i cili njihet me nofkën Ebu Musab El –Albani, Resim Kastrati i njohur ndryshe si Pc Habibi, Gramos Shabani, Albert Ademaj, Leotrim Musliu dhe Edona Haliti. Janë zbuluar detaje nga dosja e prokurorisë për mënyrën e organizimit të këtyre personave, planet për sulme terroriste, mënyrën e përzgjedhjes së vendeve dhe kohën kur do të sulmohej, pasojat që synoheshin të shkaktoheshin si dhe mënyrën e financimit të këtyre aktiviteteve terroriste.  Pretendohet se Bujar Behrami dhe Resim Kastrati nga dhjetori  i vitit të kaluar e deri më 29 qershor të këtij viti kanë përgatitur sulme terroriste në Kosovë. Madje, sipas aktakuzës, Bujar Behrami ka tentuar të krijoj grupin me emrin  ‘Ndihmëtarët e shtetit Islam në Tokën e Shqiponjave’, e që ky grup do të vepronte në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni për të përgatitur sulme terroriste. Për kryerjen e këtyre sulmeve, Kastrati duhet të gjente armë zjarri dhe materie plasëse por edhe të gjente persona që ishin të gatshëm të vetëflijoheshin duke veshur jelekët me eksploziv. Për realizimin e këtyre planeve Prokuroria pretendon se i akuzuari Bujar Behrami ka pranuar gjithsej 9 mijë euro nga një person nga Gjermania me iniciale M.M. me qëllim të blerjes së armëve të zjarrit dhe eksplozivëve. Shabani kishte planifikuar të kryente sulme terroriste në Belgjikë dhe Francë ndërsa dhe Edona Haliti po synonte të bëjë sulm vetëvrasës me materie eksplozive në automjet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it. Albert Ademaj dhe Lotrim Musliu akuzohen se ishin në dijeni të planeve  të Berhanit dhe Kastratit por nuk lajmëruan për veprimet e tyre.

Article Logic
Execution time: 0.0033779144287109