INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Ish-kryeministri në arrati. Duhet të vuante dënimin me burg, kërkon azil politikë në Hungari

Ish-kryeministri në arrati. Duhet të vuante dënimin me burg, kërkon azil politikë në Hungari

Publikuar më: 16:26 13-11-2018

Ish-kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski është shpallur në kërkim pasi është larguar nga vendi ndërkohë që duhet të përballej me drejtësinë. Policia ka kontrolluar të hënën në mbrëmje banesën e ish-liderit të opozitës por nuk e ka gjetur aty. Dhe ndërkohë që Ministria e Brendshme deklaronte se nuk kishte asnjë informacion për ish-kryeministrin, Gruevski ka reaguar duke treguar vendndodhjen e tij ndërsa pohon se po kërkon strehim politikë.
Në ditët e fundit kam marrë kërcënime të panumërta për jetën time. Tani jam në Budapest dhe kam kërkuar azil politik nga autoritetet hungareze. Unë gjithmonë do të qëndroj besnik ndaj çështjes së Maqedonisë. Nuk do të heq dorë kurrë.
Punonjësit e policisë kanë tentuar të kontrollojnë edhe selinë e VMRO-DPMNE. Opozita e ka cilësuar veprimin e policisë si presion politik. Ndaj Nikolla Gruevski u lëshua fletë-arrest me kërkesë të Gjykatës Penale të Shkupit. Gruevski kërkohet që të dërgohet në burg për të vuajtur dënimin prej dy vjet burgim për shpërdorim të detyrës për blerjen e një makine luksoze qeveritare. Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski ka fajësuar për gjendjen e krijuar organet gjyqësore të cilat sipas tij nuk kishin caktuar masën e paraburgimit edhe për faktin se Gruevski po gjykohet edhe për vepra tjera edhe më të rënda. “Imagjinoni, jepet paraburgim për vjedhje të rënda, ndërsa për vepra të rënda penale nuk ka paraburgim. Policia punon me urdhër të gjykatës. Ekzistojnë masa të sigurisë dhe ato zbatohet në bazë të vendimeve të organeve gjyqësore”, tha Spasovski. Ngjarjen e ka komentuar edhe kryeministri Zoran Zaev. Gjatë një debati televiziv Zaev tha se nuk beson se ish-kryeministri Gruevski do të merrte vendimin për t’u arratisur nga vendi. Ai pohoi gjithashtu se të gjithë që kanë kryer vepra penale duhet përgjigjen para organeve të drejtësisë, në procese gjyqësore të pavarur dhe pa ndikime politik.

Article Logic
Execution time: 0.0036911964416504