INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION TECH MED+ SPORTS VIDEOS
Search
Indri Shiroka thyen heshtjen: A do të lidhej me Vanesën jashtë “Fermës”?

Indri Shiroka thyen heshtjen: A do të lidhej me Vanesën jashtë “Fermës”?

Publikuar më: 12:08 03-08-2026

Aktori dhe ish-fermeri i “Ferma VIP 3”, Indri Shiroka, ka folur ekskluzivisht për revistën Bordo, duke rrëfyer pa filtra detaje nga raporti i krijuar me Vanesa Sonon gjatë qëndrimit në reality show. Ai pranon se mes tyre kishte një pëlqim të vërtetë, por nuk e mohon se izolimi, bashkëjetesa dhe presioni i lojës ndikuan ndjeshëm në dinamikën e marrëdhënies.

I pyetur nëse jashtë formatit do të kishte krijuar një lidhje me Vanesën, aktori u shpreh se rrethanat do të kishin qenë krejtësisht të ndryshme.

“Nëse do të isha jashtë, nuk do të kisha bashkëjetuar me Vanesën dhe nuk do të kisha qenë nën atë presion. Këtë lidhje, që unë e quaj më saktë raport, e kam përjetuar mbi lëkurën time”, tregoi ai.

Sipas Indrit, afrimiteti mes tyre lindi spontanisht, ashtu siç mund të ndodhë edhe në jetën e përditshme, por fakti që jetonin gjatë gjithë kohës në të njëjtin ambient e përshpejtoi njohjen.

“Ty të sheh një vajzë, të pëlqen dhe hyn në muhabet me të. Në atë rast e kishim shumë të thjeshtë, sepse jetonim bashkë. Nga momenti që shpreha pëlqimin me gjeste e me fjalë, deri te letra, gjithçka ka qenë një miks. Me siguri ka ndikuar edhe presioni i izolimit”, tha Shiroka.

Aktori pranoi se Vanesa përputhej me preferencat e tij në disa aspekte, ndërsa në disa të tjera ishte larg tipit të tij. Megjithatë, këto ndryshime, sipas tij, mund të kuptoheshin vetëm me kalimin e kohës.

“Për shumë aspekte ishte tipi im dhe për shumë të tjera nuk ishte absolutisht tipi im. Por këto gjëra i merr vesh me kohën. Tri javë brenda janë si tre muaj jashtë dhe fillon të krijosh një imazh të personit”, u shpreh ai.

Indri shtoi se raporti i tyre nuk u ndikua vetëm nga emocionet personale, por edhe nga banorët e tjerë, të cilët e panë afrimitetin mes tyre si një element që mund të shfrytëzohej në lojë dhe të tërhiqte vëmendjen e publikut.

“Aty kishim edhe lojtarë. Disa prej tyre e shfrytëzuan, sepse e panë me syrin e lojtarit se një marrëdhënie e tillë do të ndiqej shumë”, deklaroi aktori.

Pavarësisht eksperiencës së kaluar, Shiroka tregon se vazhdon të jetë i hapur për një lidhje të re. Ai pranon se vetmia mund të jetë e bukur për një periudhë, por me kalimin e kohës lind dëshira për të pasur dikë me të cilin të ndash jetën.

“Unë jam absolutisht i hapur për një lidhje. Vetmia ka shumë gjëra tepër të bukura, por pas një periudhe të mërzit. Njeriu do një person me të cilin të ndajë këtë rrugëtim të çmendur që është jeta”, tha ai.

Megjithatë, aktori nuk beson te ekzistenca e partnerit perfekt. Për të, çdo marrëdhënie ndërtohet mbi mirëkuptimin dhe kompromisin mes dy personave.

“Personi ideal nuk ekziston. Këtë e kam kuptuar nga jeta. Çfarë ndodh në çdo marrëdhënie është një kompromis, madje edhe marrëdhëniet që zgjasin janë një kompromis që vazhdon në kohë”, shpjegoi ai.

Një nga kushtet më të rëndësishme për një marrëdhënie të ardhshme lidhet edhe me jetën që Indri ka ndërtuar në Romë. Aktori nuk e konsideron të realizueshme një histori në distancë dhe nuk mendon të largohet nga Italia, pasi dëshiron të jetë një baba i pranishëm për djalin e tij të vogël.

“Unë jetoj në Romë, nuk jetoj në Tiranë dhe të bëj një histori në distancë nuk ka sens. Nuk mund të lëviz nga Roma, sepse kam djalin e vogël. Kam zgjedhur të jem një baba prezent për të”, rrëfeu Shiroka.

Duke folur për prindërimin, aktori ndau edhe një nga mësimet më të rëndësishme që ka marrë nga i biri: dashurinë e pakushtëzuar.

“Djali im më ka mësuar për herë të parë çfarë do të thotë të duash dikë pa asnjë lloj kushti. Isha i bindur se e dija çfarë do të thoshte, por paskam qenë shumë larg. Ai më dëshmon përditë se më do ashtu siç jam. Kërkon thjesht të jem prezent për të. Këtë më ka mësuar”, përfundoi Indri Shiroka në intervistën ekskluzive për revistën Bordo.