Aktori Indri Shiroka ka folur për herë të parë për komentet rreth miqësisë së tij me moderatoren e Ferma Vip 3, Arbana Osmani dhe rregjisorin Eduard Grishajn gjatë eksperiencës së tij në reality show.
Në një intervistë ekskluzive për Revistën Bordo, Indri ka sqaruar nëse kjo njohje ka ndikuar në rrugëtimin e tij në spektakël dhe nëse është ndjerë i favorizuar nga produksioni.
“Nuk e besoj, thjesht për faktin që Arbana nuk më ka kursyer, edhe opinionistët po ashtu. Nuk mendoj absolutisht që më kanë favorizuar, përkundrazi”, është shprehur aktori.
Sipas tij, fakti që kishte një miqësi të deklaruar me Arbanën dhe Edin mund të ketë sjellë edhe paragjykime nga publiku, duke ndikuar ndryshe nga sa mendohej.
“Mund të më ketë penalizuar në sytë e publikut, sepse ka pasur këtë paragjykim për faktin që unë kam një miqësi që nuk është absolutisht e fshehtë dhe e kemi deklaruar se kemi punuar bashkë”, ka treguar Indri.
Gjatë intervistës, aktori ka folur edhe për kolegët e tij në fermë dhe ka veçuar personin që sipas tij ishte aktori më i mirë gjatë lojës 24-orëshe.
Për Indrin, ky vlerësim i shkon Romirit, i cili sipas tij arriti të menaxhonte shumë mirë dinamikat dhe situatat brenda fermës.
“Romiri, edhe pse nga fundi e ka lëshuar pak...! Romiri ishte super aktor dhe e ka bërë shumë mirë. Aktor për si e shoh unë, është një person i matur, që mendohet njëqind herë para se të thotë një fjalë dhe ka në kokë një strukturë të dinamikave që ndodhin dhe në bazë të atyre sillet”, ka deklaruar Shiroka.
