INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Historia e trishtë e Stelës, vajzës që u vra nga vëllai i biznesmenit Dervishaj

Historia e trishtë e Stelës, vajzës që u vra nga vëllai i biznesmenit Dervishaj

Publikuar më: 13:34 05-06-2018

Detajet e reja që kanë dal nga ekzekutimi i biznesmeni 29-vjeçar në Vlorë ka sjell në vëmendje dhe një tjetër vrasje të bujshme në 2005

Mësohet se vëllai i Vasil Dervishajt, është akuzuar për vrasjen e “Stelës”, Joana Dudushi.

17-vjeçarja është vrarë në vitin 2005 në Vlorë, pak pasi denoncoi 4 efektivë të policisë dhe më pas u vra.

Ajo akuzonte Policinë se fuste në burg persona në mënyrë të padrejtë, në mënyrë që të përfitonin ryshfete për lirimin e mëpasshëm të tyre.

Dudushi, nënë e një foshnje disa muajsh, u qëllua me thikë në zemër dhe më pas është hedhur në det. Vajza e re, pak pasi bëri denoncimin në emisionin ‘’Fiks Fare”, u detyrua për shkak të presioneve të tërhiqej nga ato që kishte thënë në gjykatë.

Derlin Dervishaj u dënua asokohe me 8 vjet e 4 muaj burg, pasi e pranoi autorësinë e vrasjes dhe ka marrë gjykim të shkurtuar.

NGJARJA E PLOTË E NDODHUR NË 2005-n:

Një vajze e mitur pranon se është bashkëpunëtore e Policisë së Shtetit, duke futur në burg njerëz të pafajshëm, për t’i marre me pas paratë.

Denoncimi i rrallë është realizuar ne emisionin “Fiks Fare” ne Top Channel. Joana Dudushi, 17-vjeçe, e njohur ne policinë e Vlorës “Stela”, ka pranuar publikisht në emision se ka qenë “spiune” e Policisë së Shtetit, por jo me qëllimin e futjes në burg të të implikuarve, por të njerëzve të thjeshtë.

Ajo thotë se ka realizuar dy punë, kameriere dhe spiune në Policinë e Vlorës, ku nga puna e dytë i ka sjellë mjaft të ardhura inspektoreve të policisë. 17-vjeçarja tregon se fillimisht çdo gjë e ka bere nga mosha.

ARRESTIMI I DERVISHAJT NË 2005-n:
“Unë e vrava Joanën. Nuk kisha rrugë tjetër, pas presioneve që ajo më bënte”.

Plot 48 orë pas vrasjes së bujshme, Derlin Dervishaj ka pranuar autorësinë e krimit, vetëm pasi punonjësit e shumtë të policisë dhe prokurorisë kanë dalë nga zyra e kreut të akuzës së Vlorës, Petrit Çano.

20-vjeçari Dervishaj, ish-i dashuri i Joana Dudushit i është dorëzuar presionit në orët e para të mëngjesit të djeshëm, ku ka rrëfyer me detaje vrasjen e vajzës së njohur me pseudonimin “Stela” si dhe vendin ku kishte fshehur thikën.

Prokurori i Vlorës, Petrit Çano, pohonte momentin kur autori i dyshuar i krimit u shkreh në vaj, duke pranuar autorësinë e vrasjes makabre.

“Pas 48 orësh pyetje të personave të dyshuar, unë ngulmova tek ish- i dashuri i viktimës.

Ndaj tij kishte mjaft detaje që mua më ngacmuan dhe më intriguan, edhe pse ishte shumë i vështirë si tip, e zor se mund t’i vilje diçka nga ato që bluante në kokë”,-thotë Çano.

ZBULIMI I AUTORIT

“Ishte ora 2.00 pas mesnate dhe djaloshi, i ulur në karrige më dëgjonte me vëmendje.

Pasi i rendita disa fakte bindëse, i thashë që ai ishte vrasësi, e që ishte më mirë për të tëbashkëpunonte”,-shton kreu i prokurorisë së Vlorës.

Në mënyrë të papritur, Derlin Dervishaj i është drejtuar Çanos: “Dua të flas vetëm për vetëm me ty prokuror”.

Çano shton se menjëherë boshatisi zyrën e tij, ku ndodheshin shumë drejtues policie e prokurorie, duke besuar se pak minuta më vonë do të zbardhte ngjarjen që tronditi Vlorës.

“Po shef, unë e vrava. Por nuk kisha ç’farë të bëja, s’kisha rrugë tjetër. Unë nuk doja ta vrisja, por ajo më bënte presion”,-i ka thënë Dervishaj prokurorit, me lotët që i rridhnin nga sytë.

Kreu i prokurorisë së Vlorës pohon se ka hetuar mjaft çështje, por një rast si ky nuk i ka rastisur ndonjëherë, ku i akuzuari për një krim të rëndë rrëfen gjithçka, duke u shkrehur në vaj.

HISTORIA E DASHURISË

“Kam pasur lidhje intime me Joanën. Me të jam njohur vetëm në muajin nëntor dhe lidhja jonë zgjati 6 muaj. Historia jonë ka qenë normale, e jemi ndarë si njerëz, por që nga ai moment filloi stresi im”,-ka shtuar më pas, Derlin Dervishaj. Pas ndarjes nga Joana, 20-vjeçari ka njohur një vajzë tjetër, me të cilën është lidhur për qëllime serioze.

“Joana nuk më linte rehat. Më shkruante shpesh mesazhe e më bënte telefonata, duke më kërcënuar. Unë akuzohesha nga ajo se isha babai i të birit, Helionit, i cili ishte rreth 1 vjeç.

Unë insistoja në të kundërtën, pasi nuk kishte asnjë mundësi që të ishte e vërtetë, por ajo më kërkonte para për fëmijën”,-mësohet të ketë thënë Derlini.

Kjo gjendje ka zgjatur jo pak por muaj të tërë, derisa ditët e fundit, Joana ka shfrytëzuar një letër që ish-i dashuri i kishte shkruar.

“Hiqmu qafe se do të zhduk ty, bashkë me fëmijën,i shkruaja unë e këtë letër ajo ma vinte përpara, duke më thënë se do të më denonconte”,-ka shtuar 20-vjeçari, duke pohuar se një tjetër arsye ishin edhe ofendimet me fjalët më banale.

DITA E KRIMIT

Mbrëmjen e së dielës, Derlin Dervishaj ka pohuar se ka qenë së bashku me të dashurën e re, në oborrin e shtëpisë së kësaj të fundit.

“Rreth orës 2 të natës më erdhi një mesazh nga Joana, ku më shante mua dhe të dashurën time. Nuk e ruajtja më qetësinë.

I thashë të dashurës se do ta rregulloja njëherë e mirë këtë punë dhe u nisa në drejtim të kabinës, megjithëse ajo u mundua të më ndalonte”,-i ka rrëfyer Çanos, Derlin Dervishaj.

Tek kabina e plazhit të vjetër kishte takuar Joanën, ku i kishte kërkuar që ta linte rehat.

“Në rrugicën ku edhe e vrava, i thashë të më linte rehat, por ajo më tundte letrën, duke më thënë se do të më denonconte. Nuk e përmbajtja dot veten. Nxorra thikën që e mbaja gjithnjë me vete dhe e godita disa herë. Nuk mbaj mend se sa”,-ka rrëfyer i akuzuari.

Më pas, ai ka shtuar se ka ecur në rërë përgjatë bregdetit, ka ngulur thikën fort në rënë, derisa nuk dukej më.

“Ika në shtëpi, ku u lava dhe u mundova të qetësohesha, por në mëngjes erdhi e më kërkoi një polic. Menjëherë e kuptova se gjithçka do të zbulohej”,-ka përfunduar i akuzuari për vrasjen e Joana Dudushit.

Article Logic
Execution time: 0.0060501098632812