"Civilizimi i një populli matet nga dashuria që tregon për kafshët".
Kthehesh nga një udhëtim dhe e kupton menjëherë që je rikthyer në realitetin shqiptar teksa sheh qenë endacakë në rrugët e Tiranës. Kafshë të pambrojtura që çdo ditë përballen me refuzimin dhe keqtrajtimin e njerëzve. Këtyre njerëzve të pashpirt të cilët ende nuk e kanë kulturën për t'i dhuruar qoftë edhe një përkëdhelje një kafshe dhe të mos flasim pastaj për ndihmë. Përkundrazi.... Këtu jetojmë çdo ditë realitetin e hidhur ku kafshë të pafajshme shtypen nga makina me shoferë të papërgjegjshëm. Shtypen dhe lihen aty, në vuajtjen e tyre.
Rasti i fundit ishte ai i një qenushi në Tiranë, historia e të cilit i preku të gjithë banorët e zonës. I shtypur nga një makinë që e ngiste (si për ironi të fatit) vajza e një veterineri, e cila më pas është larguar, ai është lënë aty, i braktisur në mëshirë të fatit. Banorët kanë mundur t'i ofrojnë qenushit vetëm për të ngrënë, por jo edhe ta dërgojnë te veterineri....sepse nuk e kanë një kulturë të tillë.
Emri i parë që iu ka ardhur ndërmend ka qenë ai i Roza Latit e cila tashmë njihet për dashurinë dhe dhembshurinë ndaj kafshëve dhe i kanë kërkuar ndihmë. Përpos angazhimeve të saj, Roza është treguar e gatshme për ta marrë qenushin dhe dërguar tek spitali i kafshëve, tek Dr Emre. Por një Rozë nuk mjafton. Të gjithë ne do të duhet të ndjekim shembullin e saj. Të tregojnë qytetarinë, dhembshurinë ndaj këtyre kafshëve të pambrojtura.
Roza gjithashtu u bën apel të gjithë qytetarëve që ashtu si ajo, të përpiqen të bëjnë diçka. Sikur të gjithë të mundoheshin të bënin një gjest të mirë ndaj tyre, dita e kujtdo prej nesh do të merrte tjetër kuptim. Do të largoheshim në shtëpi me me mendimin se kontributi ynë, sado modest, ka shërbyer për diçka. Bëjeni dhe do të shihni se do të ndiheni një njeri më i mirë!