Kundër Juventusit, ish-skuadrës së tij, Gonzalo Higuain ka humbur penalltinë dhe qetësinë e tij, duke i lënë kuqezinjtë me një forcë më pak në fushë. Kartoni i kuq i marrë prej sulmuesit është shoqëruar me kontestim nga argjentinasi, i cili tashmë rrezikon deri në 3 ndeshje skualifikim.
Vendimi përfundimtar do të varet nga ajo që arbitri Mazzoleni ka shkruar në raportin e tij. “Arbitri e di atë që i thashë. I kam thënë se nuk ka shkelje, nganjëherë ata duhet ta kuptojnë situatën e lojës, emocionet…, por vendimi ishte ky dhe kërkoj falje. Kam gabuar, shpresoj që ata të më kuptojnë”, – tha “Pipita” për mikrofonin e “Sky” gjatë mbrëmjes së kaluar.
Cristiano Ronaldo dhe Gonzalo Higuain, dikur shokë skuadre tek Real Madrid, patën një konfrontim me njëri-tjetrin.
Situata u tensionua, pasi arbitri i ndeshjes nxorri nga xhepi kartonin e kuq për argjentinasin, pas një proteste për një faull të dyshimtë. Argjentinasin nuk e mbajtën nervat dhe u konfrontua fizikisht me Ronaldon, duke e shtyrë atë.
Ndërkohë portugezi pas ndeshjes ka sqaruar të gjithë konfliktin.
Ronaldo tha:
Unë i thashë vetëm që të mos e ekzagjeronte, për të mos rrezikuar një ndëshkim më të madh. Ai ishte nervoz, po humbte ndeshjen. Nuk duhet absolutisht t’i vëmë faj, unë nuk thashë asgjë”.
Më tej portugezi, i cili shënoi golin e dytë për Juventus, u ndal edhe tek rezultati i ndeshjes.
Ai u shpreh:
Nuk është asnjëherë e thjeshtë të luash ndaj Milanit në “San Siro”. Kemi treguar superioritet, jemi me të vërtetë të lumtur. Është një fitore e rëndësishme. Jemi kthyer përsëri te 6 pikët diferencë nga Napoli. Jam i kënaqur sepse edhe ia dola të shënoja gol”.









7 Apr 2026 





