INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
“Hapet Transporti Publik pa kufizime”, Manastirliu: Përdorimi i maskës i detyrueshëm

“Hapet Transporti Publik pa kufizime”, Manastirliu: Përdorimi i maskës i detyrueshëm

Publikuar më: 12:39 23-06-2020

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka lajmëruar hapjen e spitalit të dytë COVID, një strukturë mbështetëse brenda QSUT (spitali i ish-Kirurgjive) për të përballuar fluksin në rritje të të prekurve me COVID19 që kanë nevojë për trajtim spitalor.

“Me plotësimin e kapaciteteve të spitalit Infektiv, po përgatitemi për hapjen e ish-Kirurgjive në QSUT për të përballuar fluksin actual dhe po përfundojmë rekrutimin e stafit mjekësor dhe infermieror që do të shërbejë në këtë spital”, tha Manastirliu.

Duke deklaruar se janë marrë masat për mjetet e mbrojtjes personale, aparaturat mjekësore dhe terapitë e nevojshme medikamentoze për pacientët, Manastirliu shpjegoi hapat që do të ndërmerren nëse numri rritet akoma më tepër, sidomos sa i takon rasteve në terapi intensive.

“Paralelisht me hapjen e ish-Kirurgjive në QSUT, nëse do të kemi shtim të rasteve në terapi intensive, do të hapim spitalin COVID2, pra spitalin ‘Shefqet Ndroqi’ dhe në skenarin tjetër, nëse shifrat kapërcejnë këto kapacitete, do të hapet spitali COVID4 në aksin Tiranë-Durrës, I cili do të administrohet nga QSUT”, tha Manastirliu.

Spitalet COVID3 dhe 4 janë parashikuar të jenë spitale karantinë, ku trajtohen kryesisht pacientë që gjendjen akute dhe janë në fazë rekuperimi.

Gjatë komunikimit me publikun, Ministrja e Shëndetësisë tha se sistemi shëndetësor do të vijojë të jetë në alert dhe se do të kërkohet me rigorozitet zbatimi I protokolleve të sigurisë.

“Përfundimi i gjendjes së fatkeqësisë natyrore nuk e ul gatishmërinë tonë në përballje me këtë virus të rrezikshëm, pasi vendi vijon të jetë në gjendje epidemie dhe bazuar në ligjin për sëmundjet infektive do të vijojnë të jenë në fuqi të gjitha masat që kufizojnë përhapjen e infeksionit. Strukturat e Task-Forcës anti-COVID do të vijojnë të jenë të angazhuara 24/7 në terren në të gjithë territorin, me kapacitet të plotë dhe çdo thyerje e rregullave do të konsiderohet kërcënim për shëndetin e popullatës”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë lajmëroi gjithashtu heqjen e kufizimit për transportin publik.

“Komiteti Teknik I Ekspertëve ka vendosur hapjen e transportit public, por vetëm nën protokolle strikte, tashmë të miratuara, ku vendosja e maskës qoftë nga ata që shërbejnë apo nga qytetarët që e përdorin transportin publik, do të jetë e domosdoshme dhe nuk do të tolerohet asnjë thyerje e këtij rregulli”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve për masat parandaluese ndaj COVID19, për të mos e mbingarkuar sistemin shëndetësor.

“Duke falenderuar stafet mjekësore që vijojnë të jenë në gatishmëri, çdo qytetar është I lutur të mbrojë sistemin shëndetësor, të mos e vërë në sprovën e mbingarkesës, duke zbatuar rregullat e thjeshta parandaluese, distancimi fizik, higjiena personale dhe mbajtja e maskës kudo kur nuk është e mundur të respektohet distance, pasi janë të vetmet armë që kemi në dorë për të parandaluar përhapjen e COVID19”, tha Manastirliu.

FJALA E PLOTË:

Dua të vlerësoj që në fillim punën e stafeve mjekësore, të epidemiologëve, urgjencës kombëtare dhe të gjithë strukturave të shëndetësisë, që vijojnë të jenë në gatishmëri të lartë për të përballuar situatën e shkaktuar si pasojë e COVID19, gjithashtu dua të ndaj me ju planin për vijimin e përballimit të situatës në strukturat shëndetësore, duke besuar se do të vazhdojmë të kemi bashkëpunimin e secilit prej jush në zbatimin e rregullave dhe protokolleve të sigurisë, për të mbrojtur shëndetin tuaj dhe sistemin tonë shëndetësor!

Përfundimi i gjendjes së fatkeqësisë natyrore nuk e ul gatishmërinë tonë në përballje me këtë virus të rrezikshëm, pasi vendi vijon të jetë në gjendje epidemie si pasojë e situatës së shkaktuar nga SARS-COV2. Që do të thotë që do të vijojnë të mbeten në fuqi të gjitha masat e marra në kuadër të gjendjes se epidemisë. Bazuar në ligjin për sëmundjet infektive, do të vijojnë të jenë të ndaluara grumbullimet e çdo lloji, si rrezik i lartë për përhapjen e virusit, do të vijojë karantinimi i personave të konfirmuar me COVID19 si rregull përgjatë gjithë kësaj gjendje, do të vijojnë të jenë në fuqi masat për të kufizuar përhapjen e infeksionit.

Strukturat e Task-Forcës anti-Covid vijojnë të jenë të angazhuar 24/7 në të gjithë territorin, me kapacitet të plotë dhe çdo thyerje e rregullave do të konsiderohet kërcënim për shëndetin e popullatës.

Të dashur qytetarë,

Sikurse jeni në dijeni, situata epidemiologjike në vend ka patur një trend në rritje gjatë javëve së fundit sa i përket numrit të shtuar të rasteve pozitive ditore por edhe të shtrimeve në Spitalin Infektiv në QSUT, gjej rastin të apeloj sërish për rritjen e ndërgjegjsimit të çdonjerit prej jush, mbajtjen e rregullave të distancimit social, vendosjen e maskave aty ku duhet dhe ruajtjen e higjenës personale.

Janë armët e vetme që kemi, për të shmangur përhapjen e këtij virusi të rrezikshëm që është ende prezent. S'duhet ta lejojmë këtë virus të na infektoje, të infektojë të afërmit tanë, fëmijët e prindrit tane. Nëse në fazën e parë, me masat e shpejta ja dolëm me sukses ta zbusim kurbën e infektimit dhe të mbronim sistemin shëndetesor nga mbingarkesa, duhet të veprojmë po me kaq kujdes dhe vetëdije të lartë dhe në këtë fazë të dytë.

Kemi përgatitur disa skenarë për trajtimin e të sëmurëve të prekur nga ky virus, sikurse sistemi shëndetësor tashmë i hapur, po vijon me kapacitet të plotë dhe është futur në normalitet prej 1 muaji.

Por nëse nuk duan të shohim në vendin tonë pamje si ato të spitaleve në vendet fqinje, që shkuan deri në kolaps të sistemit, duhet të bëjmë të pamundurën për të parandaluar çdo mbingarkesë të shkaktuar nga ky infeksion.

Si bëhet kjo? Secili duke bërë detyrën e tij, të mbrojmë personelin shëndetësor, duke mos e rrezikuar atë nga pakujdesia apo neglizhenca.

Gjatë këtyre tre muajve ne kemi marrë të gjitha masat dhe kemi siguruar stokun e materialeve të mbrojtjes personale për stafet mjekesore, kemi rritur numrin e pajisjeve të nevojshme biomjekësore për trajtimin e pacienteve dhe kemi siguruar terapitë e mjekimit pa asnjë mungesë.

Me plotësimin e kapaciteteve në Spitalin Infektiv, po përgatitemi për hapjen e ish-Kirurgjive në QSUT për të përballuar fluksin në rritje dhe jemi duke rekrutuar stafin mjekësor dhe infermieror që do të shërbejë në këtë spital. Paralelisht nëse do të kemi shtim të rasteve në terapi intensive do të rihapim Spitalin COVID 2, pra ish-Sanatoriumin, dhe në skenarin tjetër, në rast se shifrat kapërcejnë këto kapacitete do të kalohet tek spitali karantinë COVID4 në aksin Tiranë-Durrës.

Jemi duke u përgatitur për disa skenarë sipas planit të veprimit të miratuar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve. Po sërish çdo qytetar është i lutur të mbrojë sistemin shëndetësor, të mos e vërë në sprovë. Vetëm duke treguar kujdes për masat më të thjeshta, parandalimi është e vetmja armë e sigurt ndaj këtij virusi, do të mund t'ja dalim edhe në këtë situatë.

Duke vlerësuar pa masa sakrificën e secilit prej jush gjatë fazës së parë, ju drejtohem të gjithëve edhe njëherë; të respektojmë rregullat dhe protokollet e sigurisë!

Në fund të këtij komunikimi, dua t'ju informoj për vendimin e fundit të Komitetit Teknik të Ekspertëve për transportin publik.

Komiteti Teknik i Ekspetëve vendosi heqjen e kufizimit për transportin publik, pra do të vijoj transporti publik ndërqyetetas dhe brenda qytetit, por me disa masa dhe protokolle të veçanta të cilat tashmë janë të miratuara dhe aprovuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Dua të theksoj se përdorimi i maskës gjatë udhëtimit si për ata që shërbejnë dhe për qytetarët që përdorin transportin publik do të jetë i detyrueshëm. Nuk do të ketë asnjë tolerancë nëse do të konstatohet mosrespektim i këtyre masave dhe rregullave të vendosura që janë të domosdoshme për të mbrojtur shëndetin e popullatës dhe për të mos lejuar përhapjen e SARS-COV2.

Faleminderit të gjithëve!

Article Logic
Execution time: 0.003654956817627