INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Gjykata e Durrësit rrëzon 30 qershorin, reagon Basha: Në Shqipëri ka shpresë

Gjykata e Durrësit rrëzon 30 qershorin, reagon Basha: Në Shqipëri ka shpresë

Publikuar më: 15:20 17-07-2019

Gjykata e Durrësit nuk e mandaton Valbona Sakon e Partisë Socialiste në krye të Bashkisë si pasuesen e Vangjush Dakos. Arsyja e rrëzimit është Bindja Demokratike, partia konkurrente në votimet lokale të 30 qershorit.

Sipas dokumentit zyrtar, Gjykata ka dhënë argumentimin se procesi nuk është i ligjshëm, pasi Bindja Demokratike është regjistruar jashtë afatit zyrtar, duke e bërë rezultatin në këtë bashki nul.

“Gjykata pasi analizoi çështjen në tërësi, arriti në përfundimin se kërkesa e Valbona Sakos për vërtetimin e mandatit të Kryetarit të Bashkisë Durrës duhet rrëzuar”, thuhet ndër të tjera në këtë dokument.

Të njëjtin vendim ka dhënë edhe Gjykata e Tiranë për kandidatin fitues të Bashkisë Vorë.

Kandidati i PS për Bashkinë e Vorës, Agim Kajmaku nuk ka arritur të marrë vërtetimin e gjykatës për ligjshmërinë e mandatit të fituar më 30 qershor. Por ndryshe nga sa është vepruar për Durrësin, Gjykata e Tiranës ka shpallur moskompetencë për të dhënë një vendim mbi ligjshmërinë e mandatit të Agim Kajmakut.

Këtë vendim e ka përshëndetur dhe Kreu i PD, Lulzim Basha. Sipas Bashës, ky vendim sjell shpresë dhe se në këtë vend ka gjyqtarë e gjyqtare që e kanë të shenjtë Kushtetutën dhe ligjin.

“Farsa e 30 qershorit ishte masakër e Kushtetutës, e ligjit dhe e standarteve. Dua të përshëndes vendimin e Gjykatës së Durrësit, i cili sjell shpresë se në këtë vend ka gjyqtarë e gjyqtare që e kanë të shenjtë Kushtetutën dhe ligjin, se ka shërbyes civilë me kurajo dhe ndërgjegje që i shërbejnë shtetit të së drejtës dhe jo shtetit partiak.

Farsa e 30 qershorit është një grusht kriminal institucional i Edi Ramës, përmes të cilit ai uzurpoi pushtetin vendor, por edhe KQZ-në dhe gjithë sistemin e administrimit të zgjedhjeve përfshi kolegjin zgjedhor. Të gjithë ata që u bënë pjesë e këtij grushti kriminal institucional, të gjithë ata që i shërbyen Edi Ramës për të dhunuar Kushtetutën dhe ligjin me 30 qershor, do të përgjigjen para drejtësisë për veprimet e tyre kriminale”, shprehet Basha.

Article Logic
Execution time: 0.0038220882415771