Kostana Morava ka rrëfyer për revistën “Bordo” prapaskenat e marrëdhënies së saj me Arbana Osmanin gjatë netëve “Prime” të “Ferma VIP 3”, duke pranuar se pas përfundimit të formatit ka ndryshuar edhe mënyra se si e ka parë atë që ndodhte në studio. Gazetarja shprehet se brenda lojës nuk e kishte të lehtë të kuptonte nëse përplasjet ishin pjesë e dinamikës televizive apo kishin një dimension personal:
“Kur je brenda në një lojë, sinqerisht jo për justifikim, është e vështirë të bësh analizën e saktë të ‘e ka me mua apo s’e ka me mua, e ka personale apo s’e ka personale?!’”, tregoi Morava. Por pasi doli nga “Ferma VIP 3” dhe rishikoi episodet, ajo thotë se krijoi një bindje tjetër: “Kur kam dalë pastaj kam pasur kohën që t’i rishoh dhe mendoj që ka pasur diçka personale.”
Kostana tha se nuk mund ta përcaktojë me siguri nëse bëhej fjalë për “xhelozi profesionale” apo “konkurrencë profesionale”, por këmbëngul se e ka ndjerë trajtimin ndryshe gjatë transmetimeve.
Sipas saj, problemi kryesor ishte ndërprerja e vazhdueshme e fjalës, veçanërisht në momentet kur ajo përpiqej të ndërtonte një argument të plotë.
“E kam ndjerë vërtetë këtë, le të themi trajtimin ndryshe që më është bërë përgjatë prime-ve nga Arbana në mënyrë që të mos përfundoj asnjëherë fjalitë”, u shpreh gazetarja.
Morava kujtoi edhe disa nga replikat që, sipas saj, i drejtoheshin gjatë diskutimeve: “Jo, po ta kemi dhënë kohën” dhe “Po tani mos fol më”. Për një gazetare me vite eksperiencë në televizion, kjo situatë ishte veçanërisht e vështirë për t’u përjetuar. Me humor, ajo shtoi: “Siç e shihni, unë s’pushoj së foluri.”
Kostana shpjegoi se në “Prime” nuk synonte të jepte thjesht një opinion të shkurtër, por të ndërtonte një analizë të argumentuar mbi atë që po ndodhte në fermë. “Unë kam nevojë për kohën time për të bërë një analizë, përderisa jemi në Prime dhe këtu të gjithë bëjnë analiza”, tha ajo.
Sipas saj, qasja që donte të sillte ishte më e detajuar, duke u ndalur te sjellja, karakteri dhe mënyra se si zhvillohej loja. “Analiza që unë doja të bëja kishte një pikëpamje jo vetëm përgjegjësuese, por detajuese”, u shpreh Morava.
Gazetarja ngriti gjithashtu pyetjen se përse nuk iu dha hapësira për të shfaqur këtë anë të saj profesionale. “Pse nuk i interesonte Arbanës që unë të shfaqesha në atë pozicion natyral timin, por dhe profesional timin?”, pyeti ajo.
Në fund, Morava e përmblodhi pakënaqësinë e saj duke pretenduar se ndërhyrjet ndodhnin pikërisht kur ajo arrinte te thelbi i argumentit. “Gjithmonë argumenti im pritej si papritur fiks tek ajo pika ku ishte pjesa më e rëndësishme dhe anashkalohej si një gjë shumë kot dhe pa vlerë”, deklaroi gazetarja.
