Të gjithë ata që kanë marrë faturën e muajit prill nga Ujësjellës-Kanalizime në qytetin e Tiranës kanë parë se taksa e ndërtesës rezulton të jetë 100 lekë, të paktën për familjarët. Për bizneset taksa në faturë rezulton “zero” dhe kjo lidhet me faktin se detyrimin për këtë kategori e mbledh Drejtoria e Taksave Vendore. Ujësjellësi shërben si agjent tatimor për arkëtimin e disa taksave të Bashkisë ku mes të cilave edhe ajo e ndërtesës, e cila duke nisur nga 1 prilli do të llogaritej me një metodologji të re. Fakt është që në faturën e prillit vijon të aplikohet taksa e vjetër. Kjo sepse Bashkia e Tiranës duhet që të përllogarisë në total detyrimin që ka secili nga qytetarët sipas metodologjisë së re dhe këtë më pas ta kërkojë të zbatuar në sistemin e ujësjellësit për ta arkëtuar përmes faturës së ujit.
Afati për vjeljen e taksës së re të ndërtesës është shtyrë në janar 2019.
Kjo do të thotë që edhe për muajin maj fatura që do të merrni në qershor nuk do të përfshijë taksën e ndryshuar të ndërtesës, pasi na ndajnë vetëm pak ditë nga mbyllja e muajit dhe ndryshimet në sistem kërkojnë kohën e tyre.
Duke qenë një taksë vjetore Bashkitë në përgjithësi, jo vetëm ajo e Tiranës, kanë mundësi që ta arkëtojnë edhe vetëm me një këst. Pra mund të mos e arkëtojnë muaj pas muaji por ta përfshijnë në një të vetme në fund të vitit. Kjo mund të jetë më e thjeshtë për to por sigurisht pesha do të ndjehet më shumë në xhepat e qytetarëve të cilët do ta kishin më të thjeshtë pagesën me këste mujore të taksës.
Bashkia e Tiranës duket të ketë edhe volumin më të madh të punës e lidhur jo vetëm me numrin e madh të ndërtesave që ndodhen në territorin e saj, por edhe me larmishmërinë e çmimeve referencë për zona të ndryshme duke e bërë të vështirë mbylljen në afat të shkurtër të gjithë përllogaritjeve.