INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Europol ''godet'' mafien shqiptare, liron shumicën e të arrestuarve. Ja pse...

Europol ''godet'' mafien shqiptare, liron shumicën e të arrestuarve. Ja pse...

Publikuar më: 12:35 09-04-2019

Prokuroria belge ka mbajtur në arrest 15 nga 55 personat e ndaluar të premten. Aksioni anti-drogë është përshkruar si goditje “kundër mafies shqiptare në Evropë”. Europoli njofton për arrestimin e 60 personave.

Në kumtesën e Europolit thuhet se në "aksion kanë marrë pjesë 650 policë në Belgjikë, Holandë, Francë, Itali dhe Mbretëri të Bashkuar, të cilët kanë bastisur disa adresa në koordinim me autoritetet në Serbi”. Në pyetjen nëse aksioni është bërë në koordinim edhe me autoritetet në vendet tjera të Ballkanit, zëdhënësi i Europolit, Jan Op Gen Oorth ka thënë se organizata "ka përkrahur qarkullimin e informacionit në mes të vendeve anëtare të BE-së dhe vendeve të tjera me të cilat rrjeti ka pasur kontakte duke përfshirë edhe ato në Ballkanin Perëndimor”.

Zëdhënësi ka refuzuar që të zbulojë nacionalitetin e të arrestuarve duke i përmbledhur të gjithë në "mafia shqipfolëse". Gjithsej janë zbuluar 17 plantazhe të kanabisit dhe policia ka konfiskuar 8.000 rrënjë të bimës, 200 gramë kokainë, kompjuterë, telefon, dokumente, kesh dhe gjashtë vetura luksi. Një pjesë e madhe e këtij kanabisi prodhohet në ambiente të mbyllura brenda BE-së, përderisa importet më të mëdha vinë nga Maroku dhe Libia. Një pjesë e kanabisit vjen nga Ballkani Perëndimor prej vendeve si Serbia, Kosova, dhe Shqipëria. Sa i përket prodhimit brenda BE-së grupet e organizuara kriminele holandeze përbëjnë pjesën më të madhe të prodhimit, thuhet në raport.

Sa i përket këtij rasti, nga 55 arrestimet 15 janë ndaluar në polici për t'u hetuar për qëndrim ilegal në vend, transmetojnë mediat lokale pohimet e prokurorisë belge. Mbetet e paqartë pse shumica e të arrestuarve janë liruar dhe nëse kundër tyre janë ngritur akuza për tu lënë të mbrohen në liri.

Por në një sqarim për mediat Prokurori belg Christian Henry ka treguar se i tërë aksioni është pjesë e një projekti të financuar nga Komisioni Evropian të quajtur: Direzione Investigativa Antimafia Project ONNET, që ka për qëllim ndjekjen e grupeve mafioze në Evropë. Projekti ONNET merret me grupet mafioze si tërësi e jo ndjekjen e tyre për aktivitete të caktuara. Grupet kryesore që duan të merren janë grupet mafioze italiane, rrjetet euro aziatike dhe shqiptare të mafies si dhe bandat jashtëligjore të motoristëve./ DW

Article Logic
Execution time: 0.0028338432312012