INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION TECH MED+ SPORTS VIDEOS
Search
Elvana Gjata gati për një tjetër tentativë drejt Eurovision-it? Zbulohet rikthimi i mundshëm

Elvana Gjata gati për një tjetër tentativë drejt Eurovision-it? Zbulohet rikthimi i mundshëm

Publikuar më: 19:17 28-08-2026

Elvana Gjata mund të rikthehet sërish në garën që për dy herë e ka lënë vetëm një hap larg Eurovision-it.

Sipas raportimeve të “Eurovision Kosovo”, këngëtarja shqiptare pritet të jetë pjesë e edicionit të 65-të të Festivalit të Këngës, ku thuhet se do të prezantojë një këngë të re. Raportohet gjithashtu se Elvana ndodhet aktualisht në Gjermani, ku po punon për projektet e saj muzikore.

Megjithatë, deri tani nuk ka një konfirmim zyrtar nga RTSH apo nga vetë Elvana Gjata për pjesëmarrjen, ndaj lajmi mbetet ende në nivel raportimesh.

Nëse rikthehet në skenën e Festivalit të Këngës, kjo nuk do të ishte hera e parë që Elvana tenton të sigurojë biletën shqiptare për Eurovision. Ajo e nisi historinë e saj në festival që në vitin 2003, ndërsa një nga rikthimet më të bujshme erdhi në vitin 2019 me këngën “Me Tana”.

Asokohe, Elvana ishte ndër emrat më të favorizuar për triumfin, por në finalen e Festivalit të 58-të u rendit e dyta, ndërsa fitorja iu dha Arilena Arës me “Shaj”.

Pas disa vitesh, këngëtarja vendosi të provojë përsëri. Në Festivalin e Këngës 63, ajo garoi me “Karnaval”, një tjetër prej këngëve që mori vëmendje të madhe. Edhe këtë herë, Elvana e mbylli konkurrimin në vendin e dytë, duke grumbulluar 135 pikë. Fitues u shpallën Shkodra Elektronike me “Zjerm”.

Tashmë, një rikthim i mundshëm në Festivalin e Këngës 65 do ta vendoste Elvanën sërish përballë ëndrrës për Eurovision. Dy herë ka qenë shumë pranë fitores, por në të dyja rastet bileta për kompeticionin europian i ka rrëshqitur nga duart.

Nëse pjesëmarrja konfirmohet, gara për Eurovision 2027 mund të marrë një tjetër dimension, me Elvana Gjata që do të kërkojë të ndryshojë historinë dhe, këtë herë, të mos ndalet në vendin e dytë.