Ish-banorja e “Big Brother VIP Kosova”, Juliana Nura, ka reaguar për herë të parë pas kritikave që mori në rrjetet sociale lidhur me vendimin e saj për t’iu nënshtruar fertilizimit in vitro (IVF), me synimin për t’u bërë nënë e vetme.
Në një intervistë për Kosova Live në T7, ajo sqaroi arsyet e këtij vendimi dhe iu përgjigj komenteve që kanë shoqëruar deklaratat e saj.
“Një fëmijë i lumtur është kur ka një nënë e lumtur, që ia jep të gjitha gjërat për të cilat ka nevojë”, u shpreh Juliana, duke theksuar se mirëqenia e një fëmije nuk përcaktohet nga modelet tradicionale të familjes, por nga përkushtimi i prindit që e rrit.
Ajo pranoi se figura e babait ka rëndësinë e saj, por shtoi se jeta mund të sjellë në të ardhmen një partner që do të jetë një prind i mirë për fëmijën, pavarësisht lidhjes biologjike.
“Kemi raste të ndryshme kur prindi biologjik nuk është i mirë. Kemi statistika që tregojnë se shpesh herë është më mirë vetëm, sesa me raste të gabuara”, deklaroi ajo.
Juliana reagoi edhe ndaj akuzave se vendimi i saj është egoist, duke i kundërshtuar me tone të forta.
“Egoizëm është kur e lë fëmijën në bërllok, në spital apo në jetimore, e jo kur lufton për të qenë një nënë adekuate”, tha ajo.
Me këtë deklaratë, Juliana iu përgjigj edhe personazheve publike që kanë kritikuar hapur zgjedhjen e saj, mes tyre Xheneta Fetahu dhe Valdrina. Pavarësisht reagimeve, ajo u shpreh se mbetet e vendosur ta ndjekë ëndrrën e saj për t’u bërë nënë.
