INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS

Duhanpirja tek të miturit, 17.6% e fëmijëve konsumojnë duhan rregullisht [VIDEO]

Publikuar më: 14:50 05-09-2017

Një numër i lartë të miturish konsumojnë rregullisht duhan në vendin tonë. Sipas të dhënave të “The Tabaco Atlas”, një organizate ndërkombëtare për duhanin, 17.6 për qind e meshkujve të moshës 13-15 vjeç pinin cigare. Të dhënat e kësaj organizate, të cilat i referohen vitit 2013, tregojnë se numri i adoleshentëve të moshës 15 deri në 19 vjeç që konsumojnë duhan, ishte 8.2 për qind. Por, të dhënat e viteve në vazhdim tregojnë se ka një rënie të lehtë të përqindjes së të miturve që pinë duhan, megjithatë niveli i përdoruesve mbetet ende i lartë. Sipas (Global Youth Tobaço Survey), anketa globale e duhanit për të rinjtë, e cila realizoi një studim në 61 vende, gjatë viteve 2012-2015, rezulton se në Shqipëri numri i djemve të moshës 13 deri në 15 vjeç që konsumojnë duhan, ishte rreth 13 për qind. Të dhënat për vendin tonë i referohen vitit 2015, ndërkohë që përqindja e duhanpirësve që thanë se dëshironin ta linin atë, në mesin e nxënësve të kësaj moshe, ishte rreth 60 për qind. Ndërsa, të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, të cilat i referohen të dhënave të vitit 2016, tregojnë se 14.5 për qind e meshkujve adoleshentë konsumojnë duhan. Përdorimi i duhanit është një shkak madhor i parandalueshëm i vdekjes së parakohshme dhe sëmundjeve në mbarë botën. Aktualisht, rreth 5,4 milion njerëz vdesin çdo vit, për shkak të sëmundjeve të lidhura me duhanin, një shifër që pritet të rritet në më shumë se 8 milion në vit, deri në vitin 2030.

Article Logic
Execution time: 0.0035469532012939