INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Dorëzon postin, nënkryetari i Akademisë së Shkencave. Fuga i kërkon ndjesë: “Të japin dorëheqjen e të tjerët”

Dorëzon postin, nënkryetari i Akademisë së Shkencave. Fuga i kërkon ndjesë: “Të japin dorëheqjen e të tjerët”

Publikuar më: 17:10 06-09-2017

Themelet e Akademisë së Shkencave filluan të ndjejnë lëkundet e para pas zgjedhjeve të zhvilluara dy ditë më parë megjithë kontestimin e kryeministrit Edi Rama. Ky i fundit mori vendimin për ndërprerjen e fondeve për këtë institucion duke kërkuar një reformim të thellë të tij. Ndërkohë sot ka dhënë dorëheqjen , pasi u zgjodh nënkryetar, ish-kryetari i Akademisë së Shkencave, Muzafer Korkuti. "Të nderuar kolegë anëtarë të Asamblesë! Duke ju falenderuar për rivotimin në postin e zv.kryetarit të akademisë, për arsye personale jap dorëheqjen time të parevokueshme nga ky post. Me respekt, Muzafer Korkuti."-është përmbajtja e shkurtër e letrës së dorëheqjes. Asambleja e Akademisë së Shkencave, në mbledhjen e datës 4 shtator 2017, vendoi se Akademik i Përhershëm Muzafer Korkuti, fitonte me 27 vota PO; 3 (tre) vota JO; 1(një) fletë votimi e pavlefshme. Kjo dorëheqje përbën aktin e parë të reagimit të Akademisë së Shkencave, pas një debati të madh që nisi mbi rolin dhe funksionin e saj, akademiku Artan Fuga dhe që gjeti mbështetje tek kryeministri Edi Rama. Fuga bëri përgjegjëse kryesinë e rizgjedhur duke e cilësuar si përgjegjëse për atë që ai e quan kalbëzim të Akademisë së Shkencave. Menjëherë pas bërjes publike të dorëheqjes së Myzafer Korkutit nga posti i zv/kryetarit, akademiku Fugu i kërkoi ndjesë ndërsa thotë se të gjithë duhet të ndjekin shembullin e tij. Përmes një shkrimi, Fuga fillimisht vlerëson kontributin e Korkutit ndërsa shton se në kërkim të rrugëve për ta nxjerrë nga kriza dhe farsa Akademinë e Shkencave, ndofta e ka lënduar.
“Unë uroj që profesor Korkuti të ketë krijimtari të gjatë dhe kontribut energjik brenda një asambleje akademikësh, e cila ka mundësi t'i gjejë të gjitha rrugët për t'ja hequr vellon e dështimit institucionit! Unë i kërkoj ndjesë Profesorit që pa dashjen time, në kërkim të rrugëve për ta nxjerrë nga kriza dhe farsa Akademinë e Shkencave, unë e kam ndofta lënduar anashkalimthi edhe atë, duke bërë çfarë kam pasur në dorë të evitoj konfuzionin e njeriut me institucionin. Por, duke theksuar gjithnjë se nuk kam pasur asgjë personale me të as me një njeri tjetër, dhe duke i shprehur respektin tim më të veçantë!”
Fuga thotë se shembullin e Muzafer Korkutit duhet ta ndjekin edhe anëtarët e tjerë të Kryesisë së Akademisë së Shkencave, pasi produkti i prodhuar prej institucionit që ata drejtojnë sot është artificial, fiktiv dhe i padobishëm
“Mënçuria e profesor Korkutit duhet të ndriçojë pjesën tjetër të kryesisë për të dhënë dorëheqjen dhe hapur rrugë për transformim dhe reformime të cilat këto vite fatkeqësisht nuk janë kuptuar, janë penguar dhe madje në raste të ndryshme të përsëritura janë censuruar. Produkti i Akademisë të Shkencave sot është artificial, fiktiv dhe i padobishëm në një masë shumë të madhe, pa futur gjithçka në një kategori! Asnjë institucion nuk mund të shpërblehet për një punë të pabërë dhe me rezultat gënjeshtar!”, shkuan Fuga.

Article Logic
Execution time: 0.0035700798034668