Pas videos që u përhap me shpejtësi në rrjetet sociale nga koncerti i tij në Gjakovë, Don Xhoni ka vendosur të thyejë heshtjen dhe të sqarojë publikisht ngjarjen.
Përmes një postimi në InstaStory, reperi pranoi se reagimi i tij gjatë performancës nuk ishte i duhuri, edhe pse, sipas tij, gjithçka nisi pas një provokimi nga një person në publik.
Gjatë koncertit, një spektator bëri një gjest të papërshtatshëm ndaj artistit, çka solli një reagim të menjëhershëm nga Don Xhoni, i cili hodhi pijen në drejtim të tij. Në ato momente u afrua edhe vëllai i reperit, Leonardi, por situata nuk u përshkallëzua, pasi Don Xhoni ndërhyri menjëherë për ta qetësuar dhe koncerti vijoi pa incidente të tjera.
Duke reflektuar mbi atë që ndodhi, reperi u kërkoi falje të gjithë të pranishmëve dhe pranoi se reagimi i tij nuk ishte i justifikuar.
“Dje n’Gjakovë, gjatë performancës e pata ni reagim t’gabum ndaj ni personi n’publik, pas ni gjesti plot t’pahijshëm n’moment drejt meje. Pavarsisht qa ka ndodh, reagimi jem nuk u kane i duhuni edhe per kta kerkoj falje. Respekt per krejt ata qe kane ardh aty edhe qe gjithmone m’kane perkrah”, shkroi ai.
Me këtë deklaratë, Don Xhoni zgjodhi të marrë përgjegjësinë për veprimin e tij, duke falënderuar njëkohësisht publikun për mbështetjen e vazhdueshme.
