INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Detaje të reja në lidhje me bisedimet Shqipëri - Greqi

Detaje të reja në lidhje me bisedimet Shqipëri - Greqi

Publikuar më: 16:25 02-07-2018
Mediat greke zbardhin detaje të reja në lidhje me bisedimet Shqipëri – Greqi ku si primare është renditur kufiri detar dhe përcaktimi i zonës ekonomike në Detin Jon. Sipas të përditshmes greke“Protothema’’ presioni i ushtruar nga Nikos Kotzias në një kohë kaq të shkurtër, tregon faktin se kjo është e lidhur direkt me plane më të gjera politike. Sipas shtypit grek të dy vendet kanë bërë hapa pas për çështje të ndryshme. Kështu thuhet se Greqia heq dorë nga përdorimi i termit Epiri i Veriut, ndërkohë që sipas kësaj të përditshme edhe Shqipëria nuk do të përdorë emrin Çamëri. Më tej thuhet se kjo marrëveshje do të sanksionojë heqjen e ligjit të luftës si dhe një sërë vendimesh që prekin qytetarët në të dy anët e kufirit. Kështu në marrëveshje do të hiqen tarifat konsullore si dhe do të hyjë në fuqi njehsimi i lejeve të qarkullimit. 
Ndërkohë, çështja e pronave është pjesë e kësaj pakete e po ashtu dhe bisedimet për gjetjen dhe zhvarrosjen e eshtrave të ushtarëve grekë të rënë në luftën e 1940 dhe më pas.
Shtypi grek raporton se marrëveshja e re mes të dy vendeve do të shoqërohet me një pakt të ri të miqësisë dhe bashkëpunimit. Nëse nuk do të ketë asnjë kundërshtim mes dy ministrave të jashtëm të dy vendeve, pritet të nënshkruhet nga kryeministrat Tsipras dhe Rama në një takim që ende nuk është zyrtarizuar. 
 
Article Logic
Execution time: 0.0020909309387207