INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Debati për ndryshimet kushtetuese. ‘Lufta’ e Zaev  për të mbajtur gjallë marrëveshjen

Debati për ndryshimet kushtetuese. ‘Lufta’ e Zaev për të mbajtur gjallë marrëveshjen

Publikuar më: 16:55 15-10-2018

Parlamenti i Maqedonisë nisi debatin për votimin e Marrëveshjes së Prespës për ndryshimin e emrit të vendit, të arritur pas më shumë se dy dekadash negociata të ndërmjetësuara nga OKB-ja. Rezultati do të jetë testi i parë nëse partitë në pushtet kanë siguruar shumicën e duhur të dy të tretave për të marrë votat e duhura që ndryshimet kushtetuese të kalojnë. Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev i cili po përballet me një betejë të vështirë për të siguruar numrin e nevojshëm u bëri apel deputetëve që të votojnë pro marrëveshjes historike për të ardhmen e vendit.

"Çdo deputet sot e ka në dorë çelësin e të ardhmes së tyre. I ftoj ata që akoma kanë mëdyshje që të mendojnë mirë. Shikojeni të ardhmen e gjeneratave të reja. Ju e keni të drejtën të zgjidhni edhe të kundërtën por ajo zgjedhje na kthen pas. Tani duhet të vendosni a do të fitojmë shumë apo do të humbim shumë"-u shpreh Zoran Zaev.

Por opozita maqedonase ka mbajtur sërish të njëjtin qëndrim. Deputeti i VMRO-DPMNE Ilija Dimovski , tha se përfaqësuesit e kësaj force i mbeten besnik qëndrimit të tyre për të kundërshtuar ndryshimin e emrit. Debati parlamentar mund të zgjasë deri në 10 ditë. Ndërsa në sallën e kuvendit të Maqedonisë mbahej debati për ndryshimet kushtetuese jashtë ndërtesës një grup i vogël qytetarësh protestuan kundër marrëveshjes për ndryshimin e emrit të shtetit. Protestuesit shprehen kundër propozimit të qeverisë. Ndërkohë mediet e huaja kanë vijuar të vënë theksin tek rëndësia e madhe e votimit të ndryshimeve kushetuese. Sipas “The Guardian” votimi për ndryshimin e emrit të Maqedonisë është një moment kyç për Ballkanin e trazuar.

Article Logic
Execution time: 0.0039131641387939