INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Dalja e Britanisë nga BE-ja, kryeministri italian mbledh urgjent qeverinë

Dalja e Britanisë nga BE-ja, kryeministri italian mbledh urgjent qeverinë

Publikuar më: 10:56 24-06-2016

Pas daljes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian, kryeministri italian Matteo Renzi ka mbledhur me urgjencë ministrat e qeverisë së tij. Në këtë mbledhje ishte i pranishëm dhe Guvernatori i Bankës Italiane, Ignazio Visco.

“Ne duhet ta ndryshojmë që ta bëjmë më humane e më të drejtë. Por Europa është shtëpia jonë, e ardhmja jonë”, shkruan në “Twitter” Renzi.

Ndërsa sekretari i Shtetit në qeverinë Renzi për Çështjet Europiane, Sandro Gozzi është shprehur: “Është një shok politik, një lajm mjaft i keq për të gjithë ne, që na çon drejt të së panjohurës”.

“Procedura e daljes së Britanisë së madhe nga BE-ja mund të zgjasë maksimumi 2 vjet dhe është në interesin tonë që kjo dalje të jetë sa më e shpejt e qartë e me zgjidhjet më të mira të mundshme. Nuk duam të ecim përpara në paqartësi”, ka shtuar ai.

Lideri i “Lidhjes së Veriut” Matteo Salvini është nga të parët politikanë që ka komentuar në profilin zyrtar të tij në rrjetet sociale. “Tani na takon ne. Faleminderit Britania e Madhe. Rroftë kurajoja e qytetarëve të lirë. Zemra, truri e krenaria i mundën gënjeshtrat, kërcënimet e shantazhet”, shkruan Salvini.

Ish-kryeministri italian Enrico Letta në profilin e tij në “Twitter” ka komentuar rezultatin e këtij referendumi duke u shprehur: “Kanë zgjedhur e duhet ta pranojmë.  Është koha që liderët europianë të reagojnë në lartësinë e kësaj sfide historike të Brexit.”

Ndërsa nënpresidenti i Parlamentit Europian italiani Antonio Tajani, është shprehur: “Janë bërë shumë gabime. Europa është e përbërë nga njerëz e jo vetëm nga monedha. Duhet një Europë më pranë qytetarëve. Duhet të ndryshohet drejtim”.

Article Logic
Execution time: 0.0034580230712891