Ministria e Punëve të Jashtme, që drejtohet nga Bexhet Pacolli, formalisht mban të drejtën për të thënë fjalën rreth vizitave të zyrtarëve serbë në Kosovë. Tani është Pacolli ai që ka marrë një ftesë për të hyrë në territorin e Serbisë, saktësisht në Sanxhak. Zyrtarët e lartë serbë nuk e kanë në plan t'i ofrojnë mikpritje. Daçiç madje ka bërë thirrje që Pacolli të arrestohet dhe të tërhiqet zvarrë si Gjuriçi në Kosovë. Këshilli Kombëtar Boshnjak ka ftuar Bexhet Pacollin që ta vizitojë Novi Pazarin, duke iu referuar, madje Kosovës si shtet i pavarur. Në Serbi kjo ka shkaktuar një reagim të ashpër, duke theksuar se “Sanxhaku e ka njohur tashmë Kosovën”. Letra shefit të diplomacisë kosovare, Bexhet Pacollit, i është dërguar nga lideri i boshnjakëve të Sanxhakut, Sulejman Ugljanin, që kërkoi nga ai të marrë pjesë në një ceremoni të boshnjakëve në Novi Pazar. Kryetari i Komisionit Parlamentar për Kosovën në Parlamentin e Serbisë, Milovan Drencun deklaroi se askush nuk ka të drejtë të thërrasë institucione apo zyrtarë të shkojnë në Serbi.
“Ai lider është përpjekur vazhdimisht për ta destabilizuar situatën. Askush nuk ka të drejtë të thërrasë këto institucione për të ardhur në Kosovë. Nuk ka shtet të Kosovës”, deklaroi Drecun.
Në lidhje me vizitën e Pacollit në Beograd, ka folur edhe homologu i tij serb, Ivica Daçiç. Ai deklaroi se nëse do të kishte drejtësi, Pacollin do ta prisnin si Gjuriçin, pra duke aluduar se do arrestohet.
“Ne me siguri nuk do ta presim atë si Marko Gjuriç, edhe pse nëse do të kishte drejtësi do të duhej të ndodhte njësoj”, tha Daçiç.