Cristiano Ronaldo ka triumfuar ndaj rivalit të tij të përhershëm, Lionel Messi, në një votim special të organizuar nga revista prestigjioze “France Football”, me rastin e 70-vjetorit të çmimit “Topi i Artë”.
Ylli portugez është zgjedhur nga tifozët për sezonin më të mirë individual në historinë e këtij trofeu, falë paraqitjeve të jashtëzakonshme me fanellën e Manchester United gjatë sezonit 2007-2008.
Në atë periudhë, Ronaldo realizoi 42 gola në të gjitha kompeticionet, duke ndihmuar skuadrën angleze të fitonte titullin e Premier League dhe trofeun e Ligës së Kampionëve. Pikërisht ky sezon i jashtëzakonshëm i siguroi atij edhe “Topin e Artë” të parë në karrierë, në vitin 2008.
Votimi online zgjati një muaj dhe u dha mundësinë tifozëve nga e gjithë bota të përzgjidhnin sezonin më të spikatur mes paraqitjeve të fituesve të mëparshëm të këtij çmimi.
Në vendin e dytë u rendit Lionel Messi, falë sezonit të tij të vitit 2012 me Barcelonën, kur vendosi një rekord historik me 91 gola brenda një viti kalendarik.
Pas shpalljes së rezultatit, Ronaldo reagoi përmes një postimi në Instagram, ku falënderoi mbështetësit e tij: “Futbolli u përket tifozëve! Faleminderit të gjithë tifozëve në mbarë botën. ‘Topi i Artë i të gjitha kohërave’ është edhe i juaji”.
Portugezi ka fituar pesë herë “Topin e Artë” gjatë karrierës së tij, ndërsa Messi mban rekordin me tetë trofe të këtij çmimi.
Megjithatë, ky klasifikim ka karakter simbolik dhe nuk përfaqëson një çmim të ri zyrtar të “Topit të Artë”. Bëhet fjalë për një votim special të organizuar në kuadër të 70-vjetorit të një prej vlerësimeve më prestigjioze në futbollin botëror.
