Reperi Kleviol Ahmeti, i njohur si Cllevio, ka paralajmëruar largimin nga rrjetet sociale dhe tërheqjen nga jeta publike, duke bërë të ditur se do të zhvillojë edhe një transmetim të fundit “live” përpara se të mbyllë llogaritë e tij.
Përmes një mesazhi të publikuar në Instagram, reperi ka lënë të kuptohet se dëshiron të shkëputet jo vetëm nga rrjetet sociale, por edhe nga njerëzit që e rrethojnë.
“Do të arratisem pa adresë, do të ndërroj numrin dhe nuk dua asnjë më në shoqërinë time. Dua të distancohem nga të gjithë se ndoshta jam unë e keqja”, ka shkruar Cllevio.
Ai ka falënderuar gjithashtu miqtë që e kanë mbështetur, ndërsa nuk ka sqaruar nëse vendimi për t'u larguar nga jeta publike do të jetë përfundimtar apo vetëm një shkëputje e përkohshme.
Deklarata vjen vetëm pak ditë pas problemeve që reperi pati në Itali. Më 30 gusht, Cllevio u ndalua nga autoritetet italiane në aeroportin “Malpensa” të Milanos, teksa po udhëtonte drejt Zvicrës, ku kishte planifikuar të performonte.
Vetë reperi publikoi atëherë pamje nga aeroporti dhe shkroi se ndodhej në një dhomë pritjeje përpara se të dërgohej në paraburgim. Për shkak të ndalimit, ai nuk mundi të udhëtonte drejt Zvicrës dhe anuloi performancën e planifikuar.
Deri tani nuk është bërë publik ndonjë sqarim zyrtar nga autoritetet italiane mbi arsyen e ndalimit të tij.
Tashmë, vetëm pak ditë pas episodit në Malpensa, Cllevio paralajmëron një vendim edhe më drastik: mbylljen e rrjeteve sociale, ndryshimin e numrit të telefonit dhe largimin nga rrethi i tij shoqëror.
