INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS

Cilësia e ajrit! Falë aplikacionit ''Tirana ime'' dhe Vodafone do të marrim informacion në kohë reale[FOTO/VIDEO]

Publikuar më: 14:14 26-03-2019

Qytetarët e kryeqytetit do të kenë mundësi të monitorojnë në kohë reale, cilësinë e ajrit përmes aplikacioni “Tirana ime”. Matësat inteligjentë, që do ta bëjnë të mundur u prezantuan nga Vodafone Albania dhe Bashkia e Tiranës. Sot u shënua një tjetër hap i rëndësishëm drejt realizimit të Tirana Smart City.
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj tha se përmes matësve të rinj inteligjentë, që janë vendosur në qytet, do të merren të dhëna të sakta për cilësinë e ajrit.
“Një nga gjërat që dua të vlerësoj jashtë mase është se kemi marrë teknologjinë më të fundit, që nuk ka tjetër në rajon. Sot planifikojmë lançimin e aplikacionit që mat ndotjen e ajrit në Tiranë në kohë reale, në mënyrë që çdo qytetar, ashtu siç ka akses te kamerat e qytetit, raportimet, trafiku, të ketë akses edhe në këtë informacion. Vendimmarrja për të gjithë ne bëhet më e lehtë nëse të vërtetën e dimë të gjithë”, sqaroi Veliaj.
Nga ana tjetër Drejtori i Përgjithshëm i Vodafone Albania, Achilleas Kanaris u shpreh tepër entuziast duke thënë se Tirana po e sheh potencialin që ka teknologjia për të thjeshtësuar proçeset dhe rritur efiçensën në mbarëvajtjen e një qyteti.
“Smart City ose Qytetet Inteligjente janë të domosdoshme për t'iu përshtatur kërkesave të rritjes urbane. Për këtë motiv, Vodafone ka vënë në dispozicion teknologjinë dhe ekspertizën e saj globale mbi Internet of Things, për t’i ardhur në ndihmë nevojave të komuniteteve ku operon. Falë këtij bashkëpunimi me Bashkinë e Tiranës, ne shpresojmë që Tiranë të bëhet një shembull i suskseshëm, që do të na tregojë se sa inteligjent mund të bëhet një qytet i së ardhmes”, theksoi Z. Kanaris.
Teknologjia e Internet of Things është kyç në realizimin e një qyteti inteligjent, duke përmirësuar jetën e qytetarëve brenda saj. Matësat e parë që po testohen, janë vendosur në zonën e Kasharit, te “21 dhjetori”, te Rr. e “Elbasanit” dhe te Sheshi “Skënderbej”. Sensorët inteligjentë do të përçojnë të dhëna në kohë reale, nëpërmjet rrjetit, drejtpërsëdrejti në aplikacionin “Tirana Ime”.

Ky informacion, nga njëra anë do të rrisë ndërgjegjësimin e qytetarëve për një aspekt kaq të rëndësishëm të jetës sonë, siç është cilësia e ajrit, por do t’u shërbejë edhe institucioneve përkatëse si indikator për zhvillimin e strategjive që synojnë uljen e ndotjes së ajrit, mbrojtjen e mjedisit, pra përmirësimin e cilësisë së jetesës në kryeqytet.
Gjithashtu gjatë aktivitetit kryebashkiaku Veliaj pasqyroi rezultatet e shënuara nga aplikacioni “Tirana ime” në këto 3 vite, duke renditur mbi 90.000 shkarkime, 3 milionë vizita në app, 23.000 raportime nga qytetarët.
Ndërkaq, për të ulur nivelin e ndotjes në kryeqytet, Bashkia e Tiranës po punon paralelisht edhe me nisma të tjera si projekti për mbjelljen e 2 milionëve pemëve të reja deri në 2030 apo “Ditët pa Makina”. Veliaj shprehu nevojën që të paktën një ditë në muaj në kryeqytet të kemi një ditë tërësisht pa makina. “Çdo muaj duhet të kemi të paktën një ditë pa makina, vetëm që qyteti të marrë oksigjen dhe të rikuperojë ndotjen që vjen nga makinat. Propozimi i parë është që datat 5 maj dhe 1 qershor, pra Ditën e Dëshmorëve dhe Ditën e Fëmijëve, ta bëjmë ditë pa makina. Janë data të shënuara, por janë edhe sebepe për të pasur një ditë pa makina kushtuar këmbësorëve”, deklaroi ai.
Për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve, Tirana do të transformojë të gjithë shërbimin e transportit publik. Në prezantimin e shërbimeve të reja të aplikacionit “Tirana Ime”, Veliaj tha se synon që flota e taksive në kryeqytet të jetë 100% elektrike ose hibride, të cilat sjellin më pak ndotje.

“Përveç 2 milion pemëve, kemi vendosur si target që 100% e taksive të jenë elektrike ose hibride brenda vitit 2025. Në fakt, mbi gjysma e taksive që operojnë sot në Tiranë janë elektrike ose hibride. Ndaj, besoj se do ta kapim targetin e OBSH-së shumë më herët”, theksoi ai.

Ndryshim do të pësojë edhe transporti urban, ku shumë shpejt në rrugët e kryeqytetit do të lëvizë flota e autobusëve elektrikë. “100% e autobusëve do të jenë elektrik brenda vitit 2030, një operacion që e fillojmë tani dhe kemi 11 vite kohë ta realizojmë”, tha Veliaj.
Tirana është sot një nga qytetet me numrin më të madh të personave me kombësi të ndryshme në rajon, çka e bën atë edhe një qytet kozmopolitan me mundësi për të gjithë. Kryebashkiaku tha se duke iu referuar të dhënave zyrtare të Ministrisë së Brendshme, sot në Tiranë jetojnë apo punojnë qytetarë nga 131 kombësi të ndryshme.

“Tirana është sot shtëpi e 131 kombësive. Nuk ka sot në rajonin tonë qytet më kozmopolitan, që të ketë kaq shumë kombësi. Ndaj, në momentin që e lëmë pas cinizmin dhe e zëvendësojmë me inovacion si ky i sotmi, të gjithë mund të kthehemi në dashnorë të Tiranës tonë”, përfundoi Veliaj.
Aplikacioni “Tirana Ime” është shndërruar në një udhëzues dixhital për kryeqytetin, i cili përveç ikonës së re të prezantuar sot, falë bashkëpunimit me Vodafone Albania, do të vijë së shpejti me të tjera risi teknologjike.

kanaaaok_b.jpg

Article Logic
Execution time: 0.0032031536102295