Çështja gjyqësore ndaj këngëtarit Luiz Ejlli, i cili u përball me akuza për falsifikim dokumentesh, do të shqyrtohet tashmë nga Gjykata e Lartë.
Pas vendimit të Gjykatës së Apelit në Tiranë, e cila në maj të vitit 2025 e shpalli të pafajshëm Ejllin dhe bashkëpandehurin Fatmir Avdurramani, Prokuroria ka vendosur të kundërshtojë këtë vendim përmes një rekursi. Seanca në Gjykatën e Lartë është caktuar për më 24 nëntor, me relator gjyqtarin Sokol Binaj.
Në qendër të çështjes janë dyshimet se Ejlli, në kohën kur nuk dispononte më licencën e noterit, kishte përdorur vulën noteriale për përgatitjen e një deklarate që lidhej me justifikimin e burimit të 210 mijë eurove, në favor të Avdurramanit.
Për këtë akuzë, më 2 tetor 2024, Gjykata e Shkallës së Parë në Fier e kishte dënuar këngëtarin me një vit burgim, ndërsa Avdurramanin me 18 muaj burgim.
Megjithatë, vendimi u përmbys në Apel, ku të dy të pandehurit u shpallën të pafajshëm. Prokuroria e Apelit nuk e ka pranuar këtë përfundim dhe ka kërkuar ndërhyrjen e Gjykatës së Lartë, e cila do të shqyrtojë rekursin më 24 nëntor.
